Detaje rreth bastisjes në Bërvenicë, ndalohen 5 persona, u gjetën armë, drogë, para…
Në fshatin Bërvenicë të rrethinës së Tetovës pesë persona kanë përfunduar në pranga pasi policia pas një bastisjeje gjeti armë, drogë dhe para.
Më 28.01.2026 në orën 06.40, nëpunës policorë nga SPB Tetovë – Njësia kundër Tregtisë së Palejuar të Drogës dhe Armëve i privuan nga liria I.J. (43), S.Z. (36), D.P. (69), D.P. (65) dhe S.Z. (42), të gjithë nga f. Bërvenicë.
Janë realizuar bastisje në f. Bërvenicë, në disa shtëpi, në hapësira ndihmëse dhe në automjete udhëtarësh, në bazë të urdhrit të mëparshëm të lëshuar nga gjykata.
“Me këtë rast, tek I.J. janë gjetur pesë pako me një materie pluhurore të bardhë, 52 fishekë të një pushke automatike e kalibrit 7.62, dy fishekë të një pistolete e kalibrit të panjohur dhe një gëzhojë e një pushke automatike. Te S.Z. (36) janë gjetur dhe sekuestruar 20 fishekë të një pushke automatike e kalibrit 7.62, një pistoletë dhe krehër me dy fishekë të cilat i posedonte pa leje, si dhe një peshore digjitale me mbetje të një materie pluhurore të bardhë. Te D.P. (69) janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të cilën e posedonte pa leje, si dhe një karabinë gjuetie, një pushkë gjuetie dhe një pistoletë të cilat i posedonte me leje. Te D.P. (65) janë gjetur dy lista dhe një fletore me emra disa personave, dy kompjuterë dhe rreth 31.640 euro, 3.400 franga zvicerane dhe 56.500 denarë. Te S.Z. (42) është gjetur një materie pluhurore e bardhë”, sqaroi Ministria e Brendshme.

