Derbi i javës luhet në Çair, Shkëndija e Struga kërkojnë pikë si mysafir

Derbi i javës luhet në Çair, Shkëndija e Struga kërkojnë pikë si mysafir

Java e tretë e Ligës së Parë të Maqedonisë sjell një nga derbit më të mëdhenj të vendit tonë, pasi takohen rivalët e përbetuar të qytetit të Shkupit, FC Shkupi dhe KF Vardari. Ekipet tjera shqiptare në këtë javë luajnë ndeshje tejet të rëndësishme, me derbin shqiptar ku takohen Gostivari – Voska Sporti, Struga e Shkëndija janë në cilësinë e mysafirit në Shkup te Rabotniçki, gjegjësisht në Strumicë te Brera, njofton Telegrafi.

Derbi i javës luhet në stadiumin e Çairit, ku ky duel si zakonisht luhet me shumë dëshirë të për fitore, ndërsa tribunat e stadiumit gjithmonë janë të stërmbushura. Si FC Shkupi ashtu edhe vardari në këtë ndeshje do të jenë me trajner të ri, pasi paraprakisht javën që lamë pas u larguan trajnerët e vjetër. Te Shkupi Mirkov është pasues i Gjokës, ndërsa te Vardari Petreski zëvendësoi Mihaillovin. Arbitër kryesor i kësaj ndeshje është zgjedhur të jetë shkupjani Aleksandar Stavrev.

Sigurisht se një ndeshje shumë interesante pritet të luhet në pjesën tjetër të kryeqendrës së vendit, ku në stadiumin e parkut të qytetit të Shkupit, Rabotniçki do të jetë nikoqir i liderit dhe kampionit aktual Strugës. Struga vjen si favorite me pikë të plota nga dy ndeshje, ndërsa Rabotniçki nxori pikë në Tetovë ndaj Shkëndijës dhe tregoi se ky ekip ka ndryshuar nga e kaluara.

Derbi shqiptar i javës luhet në mes Gostivarit dhe Voskës. Në këtë duel skuadra e Gostivarit është favorite absolute, nga fakti se tregoi një lojë shumë të mirë ndaj Shkupit, ndërsa me këtë tregon se synon kreun e renditjes.

Besa e Dobërdollit, si debutuese e Ligës së Parë nuk e ka nisur mirë, nga dy ndeshje ka dy disfata dhe në javën e tretë do ta ketë mjaft të vështirë, duke e ditur se luan ndaj ekipit të Tikveshit, skuadër kjo që po luan lojë të pëlqyeshme dhe të mirë. Por Besa e ka shumë të rëndësishme të fillojë të mbledh pikë, pasi do ta ketë vështirë të merr veten dhe të luftojë për mbijetesë. Pak para mbylljes së afatit kalimtar te Besa erdhën edhe tre përforcime, Ademi, Rexhepi dhe Talloviq.

Skuadra e Shkëndijës së Tetovës luan si mysafire në Strumicë, te AP Brera, një nga ekipet që këtë sezon është përforcuar mjaft mirë dhe po tregon se kërkon të bëjë më shumë se sa të luftojë për një vend në elitë. Shkëndija dështoi të merr tri pikë ndaj Rabotniçkit, andaj Jeton Beqiri dhe futbollistët e tij do të kërkojnë të bëjnë më të mirën në këtë përballje.

Ndeshjet e javës së tretë luhen të dielën (25.08.2024) me fillim në ora 16:00, ku takohen: Shkupi – Vardari, Besa – Tikveshi, Rabotniçki – Struga, Voska Sport – Gostivari dhe Pelisteri – Sileksi. Ndërsa ndeshja AP Brera Strumica – Shkëndija luhet me fillim në ora 20:00.

MARKETING