Deputetët do të debatojnë për interpelancat kundër Mexhitit, Stoilkoviqit, Toshkovskit, Isenit dhe Dautit
Kuvendi sot do të fillojë seancën e 29-të ku në rend dite janë pesë interpelanca. Katër interpelanca janë dorëzuar nga deputetët e Frontit Evropian kundër punës së zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq, ministrit për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëvendësit të tij Astrit Iseni nga LD. Interpelanca e pestë është dorëzuar nga Partia E Majta për punën e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti.
Shumica e partive parlamentare si nga pushteti ashtu edhe opozita nuk do t’i pranojnë interpelancat e iniciuara për katër ministrat aktual, ndërsa për interpelancën e Dautit deklaruan se do të kenë qëndrim para seancës së sotme. Mirëpo, thonë se edhe nëse interpelanca për te kalon, Fronti Evropian mund ta kandidojë përsëri Dautin për kryetare të Komisionit.
Shumica e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, deputetët e koalicionit VLEN, LSDM dhe E Majta do të votojnë kundër katër interpelancave të dorëzuara pas ndodhive të festës së Flamurit shqiptar.
Sipas Rregullores së Kuvendit, për interpelancat debati dhe votimi do të jenë ndaras. Do të debatojnë aq deputetët sa janë paraqitur për fjalim, por në fund të ditës, pra para mesnatës duhet të votohet. Megjithatë, deputetët shpresojnë se i gjithë debati mund të përfundojë brenda një dite.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në takimin e fundvitit me gazetarë informoi se çdo interpelancë do të shqyrtohet ndaras dhe se mund të diskutohet gjatë gjithë ditës, varësisht se sa deputetë janë paraqitur. Megjithatë, shtoi ai, në fund të ditës duhet votuar.
Sipas tij, interpelanca si instrument nuk ka asnjë pasojë juridike dhe nuk ka fuqi ekzekutive. Ai është më shumë një mjet demokratik për diskurs politik për një temë, për një bartës të detyrës ose një person të zgjedhur dhe të emëruar nga Kuvendi.
Kryetari i qeverisë Hristijan Mickoski tha se në seancën për interpelancën e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviqit, ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëvendësit të tij Astrit Iseni, pret nga opozita “sulme që do polarizojnë dhe inkurajojnë ndjenjat e intolerancës ndëretnike”.
“Por, mendoj se kjo do të jetë e pafrytshme dhe e pasuksesshme dhe kjo përpjekje do të përfundojë si e dështuar. Pres kritika të pabaza dhe kritika që nuk kanë lidhje me realitetin. Por e tillë është opozita jonë në këtë moment. Shpresoj që do të nxjerrë një mësim, shumë shpejt do të ristrukturohen në aspekt programor, por do të rifreskohen edhe në aspektin personel, sepse aty shohim njerëz të pabesueshëm. Kemi memorie institucionale dhe e dimë se çfarë kanë bërë në të kaluarën”, tha Mickoski.
Nga koalicioni VLEN thonë për MIA-n se nuk do të bien në “kurthin e deputetëve non grata të BDI-së të cilët duan që me interpelancat ta defokusojnë vëmendjen e publikut nga çështjet reale, siç janë skandalet e mëdha korruptive në radhët e tyre”.
“Deputetët e VLEN-it nuk do t’i kushtojnë rëndësi lëvizjeve dëshpëruese non grata të BDI-së e cila për 22 vjet nga pozita e pushtetit ka varfëruar shqiptarët dhe tani si opozitë i mbrojnë rrejshëm. Për nënvlerësimin e inteligjencës së popullit shqiptar për BDI-në non grata, vijon dënim i rëndë në zgjedhjet lokale”, thonë nga VLEN-i.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti nga Tetova komentoi inicimin e interpelancës ndaj tij dhe tha se është hap demokratik që partia opozitare po e përdorë vetëm për përfitime partiake dhe në kundërshtim me interesat shtetërore.
“Interpelanca është një mekanizëm demokratik dhe ne mbështesim metoda të tilla demokratike, por për fat të keq është iniciuar nga një parti jodemokratike e cila tashmë po përballet me probleme të mëdha dhe nga numri i atyre që janë në listën e zezë udhëheqin pikërisht këto struktura dhe në vend që të turpërohen dhe si të bëjnë reforma për të dalë nga kjo gjendje e rëndë, përkundrazi po krijojnë ende tendenca për destabilizimin dhe mjegull vetëm për të shpëtuar nga drejtësia”, ka thënë Mexhiti nga Tetova.
Grupi parlamentar i LSDM-së, siç ka deklaruar zëdhënësja e partisë Bogdanka Kuzeska, mbetet në qëndrimin e publikuar nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar se nuk do të mbështesë katër interpelancat e dorëzuara për punën e zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq, ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe zëvendësit të tij Astrit Iseni nga LD. Ndërsa sa i përket interpelancës për Dautin, tha se qëndrimi do të jetë në bazë të koordinimit.
“Mbetemi në qëndrimin e njëjtë. Është edhe vendim i Këshillit ekzekutiv të partisë. Nuk do t’i mbështesim dhe nuk do t’i votojmë interpelancat e iniciuara nga BDI. Nuk ka nevojë për ndarje të reja në vija etnike. Për të ngritur interpelancë duhet të shihen kriteret dhe sigurisht të gjitha ato argumente që kanë të bëjnë me performancën e keqe të një ministri që të paraqiten dhe të mbështeten. Grupi parlamentar në koordinim do ta harmonizojë punën e seancës”, ka thënë zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Deputetët nga E Majta, të cilët kanë dorëzuar interpelancën kundër Ilire Dautit, siç ka thënë për MIA-n Amar Mecinoviq, presin mbështetje të gjerë në Kuvend, duke pasur parasysh se ligji që ajo bllokon është propozuar nga LSDM, ndërsa VMRO-DPMNE, përmes zëdhënëses Marija Miteva paralajmëroi se do ta mbështeste shkarkimin e saj.
Mbrëmë E Majta përmes një kumtese ka kërkuar që pushteti ta mbështesë interpelancën kundër Ilire Dautit.
“Deputetët e Të Majtës e dorëzuan këtë interpelancë për shkak të shkeljes brutale të Kushtetutës dhe Rregullores së punës, gjë që pengon që Ligji për ‘branitellat’ të prezantohet para deputetëve. Meqenëse deputetët e shumicës gjatë periudhës së kaluar janë deklaruar se do ta mbështesin interpelancën e Dautit, presim që në seancën e nesërme të Kuvendit shumica të votojë interpelancën e dorëzuar nga E Majta”, kanë thënë mes tjerash nga kjo parti.