Demiri: Banorët e Gradecit përballen me mungesë të ujit të pijshëm gjatë verës
Kandidati i pavarur për komunën e Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, sonte në emisionin “Debat në SHENJA” foli edhe për problemin e ujit të pijshëm në fshatin Gradec gjatë sezonit të verës.
“Në komunën e Vrapçishtit, në fshatin Gradec, gjatë verës, kur pjesa e mërgatës është prezent këtu, kemi reduktim të ujit të pijshëm nga ora 12:00 deri në orën 17:00. Kjo ndodh për shkak se për dy mandate nuk është siguruar furnizimi i duhur me ujë. Kur situata bëhet alarmante dhe e papërballueshme, kryetari i komunës ka zbatuar një zgjidhje që ai e ka shpikur, duke vendosur një gyp tek liqeni. Sipas tij, ky investim konsiderohet si i vetmi për fshatin Gradec në aspektin e ujit të pijshëm. Por pa transparencë ndaj qytetarëve, uji nga bazeni inkuadrohet në rrjetin e ujësjellësit dhe është jo i pijshëm, duke dëmtuar banorët”, deklaroi Demiri. /SHENJA/

