Dëftesa elektronike nga viti i ardhshëm

Dëftesa elektronike nga viti i ardhshëm

Nga viti i ardhshëm shkollor në vend që të jenë të shtypura, dëftesat nga klasat e përfunduara në arsimin fillor do të jenë në version elektronik dhe do të shkarkohen në mënyrë digjitale nga shkollat ​​e mesme në të cilat nxënësit do të aplikojnë për regjistrim.

Ministrja Vesna Janevska sot deklaroi se edhe këtë moment kjo është e mundur edhe përmes sistemit të ditarit elektronik, por do të fillojë të zbatohet nga viti i ardhshëm pasi popullsia të jetë më e informuar dhe e përgatitur për këtë proces digjital.

“Fëmijët dhe prindërit de fakto nuk kanë nevojë ta kenë dëftesën në duar, përveçse është një mënyrë për t’u shoqëruar, për t’u lavëdruar, për t’u gëzuar, dhe disa për t’u zhgënjyer dhe për të bërë më shumë përpjekje… Nuk po e bëjmë këtë vit sepse nuk mundemi, por sepse një numër i madh i nxënësve dhe prindërve tanë nuk dinë ta bëjnë këtë, veçanërisht në zonat rurale ku nuk ka pajisje dhe internet. Njohuria digjitale duhet të ngrihen në një nivel më të lartë. Pres që vitin e ardhshëm të paktën mbi 90 për qind do të mund të përfundojnë kështu, megjithëse sistemi është tashmë gati për këtë”, tha Janevska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në një ngjarje në Asociacionin Bankar të Maqedonisë.

Lidhur me emigrimin dhe si ndikon ai në uljen e numrit të nxënësve të klasës së parë, Janevska tha se numri i saktë i nxënësve të klasës së parë që u regjistruan në shkollat ​​e Maqedonisë këtë vit do të dihet në shtator kur të bëhet regjistrimi i dytë dhe më pas, tha, “do të mund t’i komentojmë numrat e një uljeje ose rritjeje të mundshme në komuna të caktuara”.

MARKETING