Debati i parë për zgjedhjet në PE, Von der Leyen përballet me presionin e sfidantëve

Debati i parë për zgjedhjet në PE, Von der Leyen përballet me presionin e sfidantëve

Ishte i gjithi kundër Von der Leyen debati i parë i mbajtur në Mastriht, në prag të zgjedhjeve evropiane.
Shtatë kandidatë për kreun e Komisionit dhe përfaqësuesit e presidentes aktuale u përpoqën të bënin për vete votuesit rreth një muaj para zgjedhjeve të qershorit.
Presioni ishte i madh për Von der Leyen, me sulme nga të dyja anët, e majta dhe e djathta. Kandidatja e PPE-së nuk e mohoi një bashkëpunim të mundshëm me të djathtën ekstreme ECR pas zgjedhjeve.

“Është Parlamenti Evropian që duhet të gjejë mazhorancën. Kjo varet shumë nga përbërja e Parlamentit dhe përkatësia në grup”, tha von der Leyen.

“Vlerat dhe të drejtat nuk mund të ndahen sipas marrëveshjeve politike. Ju ose do të bashkëpunoni me të djathtën ekstreme sepse ju duhet, ose thojeni hapur se nuk mund të ketë një marrëveshje pasi ata nuk respektojnë të drejtat themelore për të cilat ka luftuar komisioni”, tha Nicolas Schmit, kandidat i social-demokratëve.

Por Ursula von der Leyen nuk ishte e vetmja që u gjend nën presion. Kandidati i radikalëve të djathtë të partisë Identitet dhe Demokraci, Anders Vistisen, u gjend nën sulmin e rivalëve.

“Zoti Vistisen, të gjitha problemet që po hasim aktualisht me Rusinë që blen influencën është grupi juaj. Ndaj, përpara se t’i jepni leksione ndokujt, ju duhet të pastroni më parë shtëpinë tuaj”, deklaroi Bas Eickhout, kandidat i të Gjelbërve.

Kandidati i së majtës evropiane, Ëalter Baier u duartrokit nga audienca kur pyeti Von der Leyen në lidhje me Izraelin.

“Kur do të vendosë BE sanksione ndaj Izraelit që të ndalë luftën në Gaza?”- tha Baier.

“Të shohësh se sa civilë të pafajshëm po vdesin, përfshirë fëmijët, është e padurueshme dhe e papranueshme. Ndaj duhet një armëpushim dhe duhet tani. Duhet lirimi i menjëhershëm i pengjeve. Dhe duhet të ulemi dhe të punojmë për zgjidhjen me dy shtete si zgjidhja e vetme që do të sjellë paqe në rajon”, tha von der Leyen.

Debati i ardhshëm i kandidatëve do të mbahet më 23 maj në Bruksel.

MARKETING