DAP: Në vitin 2025 në buxhetin kombëtar janë mbledhur mbi katër miliardë euro nga tatimet dhe kontributet sociale
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) njoftoi se gjatë vitit 2025 në buxhetin e shtetit janë mbledhur gjithsej 4 miliardë e 426 milionë euro nga taksat dhe kontributet sociale, që paraqet një rritje prej 308,3 milionë eurosh krahasuar me vitin 2024.
Sipas DAP-it, nga kjo shumë totale, të ardhurat tatimore kanë arritur në 2 miliardë e 334 milionë euro, ose 7,5 për qind më shumë se vitin e kaluar, që në vlerë absolute paraqet rritje prej 163,2 milionë eurosh.
Rritja e të ardhurave ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë vitit, me një intensitet më të theksuar në gjysmën e dytë të vitit 2025, kur është realizuar rreth katër të pestat e rritjes vjetore.
Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) bazohen në një rritje të qëndrueshme të arkëtimit nga qarkullimi i brendshëm, ku në disa muaj është shënuar rritje prej 10 deri në 13 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, te tatimi mbi fitimin, rritja vjen si rezultat i pagesave paraprake për vitin 2025 mbi një bazë më të lartë tatimore, si dhe nga rritja e arkëtimit të tatimit të mbajtur në burim nga dividentët dhe të ardhurat e tjera të paguara për themelues dhe partnerë të huaj të kompanive, ku është regjistruar rritje mbi 30 për qind.
Në segmentin e tatimit mbi të ardhurat personale, pjesën më të madhe e zë tatimi mbi pagat, i cili ka shënuar rritje të qëndrueshme mujore dhe një rritje totale mbi 10 për qind. Rritje të ndjeshme është regjistruar edhe te tatimi mbi të ardhurat nga shërbimet kontraktuale, bujqësia dhe veprimtaria e pavarur.

