Chollet: Një krizë në Kosovë do të pengonte bashkëpunimin SHBA-Serbi
Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se një krizë e mundshme në Kosovë mund të pengojë bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë.
Në një diskutim me gazetarë në Beograd të enjten, Chollet u pyet për marrëdhëniet SHBA-Serbi, për të cilat ai tha se janë “të forta dhe strategjike”, por që mund të pengohen, nëse nuk zgjidhen çështjet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Frikësohem se përderisa çështja e Kosovës mbetet e pazgjidhur, në veçanti nëse situata do të sillte në ndonjë krizë, siç po frikësoheshim që po afrohej disa javë më parë, kjo do të pengonte një bashkëpunim më të thellë mes nesh. Nuk duam ta shohim këtë”, u shpreh ai.
Në javët e fundit, në Kosovë ka pasur tensione të vazhdueshme në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku rrugët drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi u barrikaduan për 20 ditë.
“Duam të dalim nga cikli i krizave në të cilën kemi qenë shumë gjatë. Duam të angazhohemi në dialog dhe mbështesim dialogun (mes Kosovës dhe Serbisë)”, ka thënë Chollet, i cili në dy ditët e fundit ka zhvilluar vizita në Prishtinë dhe Beograd.
Chollet ka përsëritur qëndrimin e tij që e kishte shprehur në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë ditës. Zyrtari i lartë amerikan ka deklaruar se duhet angazhim për dialog, të bazuar në propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, i njohur ndryshe edhe si propozimi evropian.
Mes tjerash, Chollet gjithashtu ka theksuar qëndrimin se Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit nga gazetarët u pyet edhe në lidhje me faktin se Serbia nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022.
“Kjo është e vështirë për shtetet, e kuptojmë këtë. Besojmë që është çështje praktike që Serbia të përmbushë fatin e saj evropian. Përderisa po qëndron jashtë konsensusit për sanksione ndaj Rusisë, është e vështirë të shihet se do të shkojë përpara ky proces”, ka deklaruar ai.
Chollet gjithashtu ka folur në lidhje me prezencën e grupit mercenar rus ‘Wagner’ në Ballkan.
“Ne kemi ngritur shqetësimet për grupin Wagner. Kemi parë se grupi Wagner do të rekrutojnë ushtarë nga Serbia dhe vende tjera dhe ne mendojmë që kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Chollet./REL