Chelsea triumfon në derbin ndaj Tottenhamit, Conference League më pranë

Chelsea rikthehet te fitorja, teksa ia del të triumfojë me rezultatin 2-0 në derbin londinez ndaj Tottenhamit. Skuadra e Mauricio Pochettinos nuk fitonte prej tri javësh në kampionat, megjithatë ia doli të shënojë nga një gol për çdo pjesë ndaj “Spurs”-ave të Postecoglu dhe të marrë tre pikët.
Blutë e Londrës morën avantazhin në pjesën e parë me golin e Chalobah, me mbrojtësin që iu shkëput bukur prapavijës së Tottenhamit, për të bërë një goditje perfekte me kokë dhe dërguar topin në rrjetë.
Më pas në pjesën e dytë ishte Jackson ai që shënoi edhe golin e dytë për Chelsea-n, ndërsa Tottenhami nuk pati fuqinë e duhur për të reaguar dhe shmangur humbjen në derbi.
Kjo fitore shton shanset e Chelsea-t për vendin e gjashtë të renditjes, që do të përkthehej në pjesëmarrje në Conference League, teksa Tottenhami heq dorë nga gara për një vend në zonën Champions.