Chelsea befason Guardiolën dhe City-in në kohën shtesë, “feston” Arsenali
Manchester City dhe Chelsea nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në supersfidën e javës së 20-të të Premier League, në një takim intensiv dhe të luftuar, ku vendasit krijuan më shumë raste, por pa arritur ta mbyllin ndeshjen në favorin e tyre.
“Qytetarët” dominuan pjesën më të madhe të lojës dhe kaluan në avantazh në minutën e 42-të me Tijjani Reijnders, i cili realizoi një gol të bukur me të djathtën brenda zonës.
Pjesa e parë u mbyll 1-0 për City-n, ndërsa në të dytën Chelsea tregoi më shumë vendosmëri. Barazimi erdhi në minutat shtesë, kur Enzo Fernandez përfitoi nga një top i ardhur në zonë nga Malo Gusto dhe nga një moment hutimi i mbrojtjes vendase. Donnarumma arriti të ndalë goditjen e parë të argjentinasit, por jo tentativën e dytë.
Barazimi favorizon Arsenalin kryesues. Manchester City mbetet në vendin e dytë me 42 pikë, po aq sa Aston Villa, gjashtë pikë pas Arsenalit, ndërsa Chelsea renditet i pesti me 31 pikë.

