Champions League/ Reali mund Juventusin, Bayerni dhe Liverpooli fitojnë me goleadë

Real Madrid ka arritur fitoren e tretë rresht në fazën e grupeve të Champions League, duke mposhtur Juventusin me rezultatin minimal 1-0 në “Santiago Bernabéu”. Sfida u vendos në minutën e 57-të nga Jude Bellingham, i cili përfitoi nga një aksion i Vinicius Junio, braziliani goditi shtyllën pas një depërtimi të shkëlqyer në krahun e majtë, ndërsa anglezi ishte aty për ta shtyrë topin në rrjetë me një goditje të saktë.
Skuadra e Igor Tudor mbetet ende pa fitore në Europë këtë sezon dhe mund të pendohet për rastin e humbur nga Openda në minutat e fundit. Portieri Di Gregorio u shfaq vendimtar në disa momente, duke ndalur goditjet e Mbappé dhe Arda Güler, ndërsa Gatti shmangu golin e dytë të madrilenëve me një ndërhyrje heroike në vijën fatale.
Bayern dominon në “Allianz Arena”
Në Mynih, Bayern Munich shënoi një fitore bindëse 4-0 ndaj Club Brugge. Golat u realizuan nga Karl Lennart (5′), Harry Kane (14′), Luis Díaz (34′) dhe Nicolas Jackson (78′), duke konfirmuar formën e shkëlqyer të bavarezëve në këtë edicion.
Chelsea dhe Liverpool “shpërthejnë” me gola
Chelsea triumfoi me shifra tenistike 5-1 ndaj Ajax-it në “Stamford Bridge”. Për londinezët shënuan Marc Guiu (18′), Moisés Caicedo (26′), Enzo Fernández (45′, pen.), Estevão (45+5′, pen.) dhe Tyrique George (48′). Holandezët ngushtuan përkohësisht diferencën me Wout Weghorst nga penalltia (33′).
Ndërkohë, Liverpool u rikthye te fitorja pas katër humbjesh radhazi, duke fituar 1-5 në fushën e Eintracht Frankfurt. Gjermanët kaluan të parët në avantazh me Kristensen (26′), por “të kuqtë” përmbysën gjithçka me golat e Ekitike (35′), Van Dijk (39′), Konaté (45′), Gakpo (66′) dhe Szoboszlai (70′).