Champions League/ City triumfon në Bernabeo ndaj Realit, fitojnë dhe Juvja e Arsenali

Champions League/ City triumfon në Bernabeo ndaj Realit, fitojnë dhe Juvja e Arsenali

Champions League ka dhuruar një mbrëmje me gola dhe emocione. Vëmendja ishte në “Santiago Bernabéu”, ku Manchester City fitoi 1-2 ndaj Real Madridit. Ky rezultat e vë në pozitë të vështirë Xabi Alonson, që regjistron humbjen e dytë radhazi në shtëpi. Të gjitha golat u shënuan në pjesën e parë: Rodrygo realizoi golin e tij të parë sezonal, ndërsa O’Reilly dhe Haaland me penallti përmbysën takimin.
Juventusi arriti një fitore me peshë, duke u rikthyer nga vështirësitë ashtu siç kishte bërë më herët ndaj Bodo/Glimt. Bardhezinjtë u vendosën në vështirësi gjatë pjesës së parë nga ritmi dhe guximi i Pafosit, që për minuta të tëra dominoi lojën në “Allianz Stadium”. Zhegrova luajti në 45 minutat e para, por ende larg formës së tij më të mirë. Pas pushimit, ndërhyrjet taktike të Spallettit ndryshuan krejtësisht fytyrën e skuadrës. Kuarteti ofensiv funksionoi në mënyrën më të mirë, duke sjellë edhe golat vendimtarë: McKennie në minutën e 66-të dhe David në të 73-tën vulosën rezultatin 2-0. Me këtë sukses, Juventusi ngjitet në kuotën e 9 pikëve, duke bërë një hap të rëndësishëm në rrugën drejt kualifikimit.
Arsenal ka marrë fitoren e gjashtë rresht këtë sezon në Champions League. Sonte, “Topçinjtë” fituan në transfertë 0-3 ndaj Club Brugge, ku protagonisti kryesor ishte Noni Madueke, me dy gola. Goli i parë erdhi në minutën e 25-të, pasi mori një top pak më tutje se mesi i fushës, dribloi dy nga kundërshtarët dhe me një goditje nga distanca, “shkundi” rrjetën.
Në fillim të pjesës së dytë, Madueke shënoi golin e dytë, këtë herë me kokë, pas krosimit të Martin Zubimendit. Në minutën e 56-të, ishte radha e Gabriel Martinelli për të shënuar me një goditje klasi në kufijtë e zonës së rreptësisë. Gabriel Martinelli është lojtari i parë i Arsenalit që shënon në pesë ndeshje radhazi në Champions League.

Jose Mourinho mposht Antonio Conte-n. Në “Estadio da Luz”, Benfica fitoi 2-0 ndaj Napolit, duke i lënë italianët në një pozitë tejet të vështirë, në vendin e 24-të, që rrezikon shumë të mos shkojë dot as në play-off. Golat për portugezët u shënuan nga Richardo Rios në minutën e 20-të dhe Leandro Barreiro në minutën e 49-të, pas asistit të Rios.

Pa gola u mbyll ndeshja mes Paris Saint Germain dhe Athletic Club, ku francezët nuk arritën të gjenin zgjidhje në sulm.

Spektakël dhe barazim 2-2 në duelin midis Bayer Leverkusen dhe Neëcastle. Gjermanët kaluan fillimisht në avantazh pas autogolit të Bruno Guimaraes, por një gafë e portierit Flekken solli penalltinë e barazimit të realizuar nga Gordon. Më pas, një goditje me kokë e Miley përmbysi rezultatin, por në minutat e fundit Grimaldo riktheu ekuilibrin.

Me të njëjtin rezultat u mbyll edhe takimi në Dortmund mes Borussia-s dhe Bodo/Glimt. Dygolëshi i Brandt u neutralizua nga Aleesami dhe ish-lojtari i Milanit, Hauge, që siguroi një pikë të vlefshme për norvegjezët.

MARKETING