Çekia nënshkruan marrëveshje për t’i dhënë fund varësisë nga nafta ruse

Çekia nënshkruan marrëveshje për t’i dhënë fund varësisë nga nafta ruse

Kompania shtetërore çeke e energjisë, Mero, njoftoi më 23 maj se ka nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë fund varësisë së shtetit nga nafta ruse, mbi një vit pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Mero do të financojë me 73 milionë dollarë zgjerimin e naftësjellësit Transalpin (TAL) që furnizon me naftë Evropën qendrore përmes portit italian në Triestë.

Kapaciteti i Republikës Çeke në TAL, me këtë marrëveshje, do të dyfishohet dhe do të arrijë deri në 8 milionë tonë naftë në vit, duke nisur nga viti 2025.

“Kjo marrëveshje është e ardhmja jonë, do të na ndajë nga Rusia pas 60 vjetëve të gjata, dhe do të na ndihmojë të arrijmë pavarësinë, lirinë dhe sovranitetin në furnizimet me energji”, tha shefi ekzekutiv i Mero-s, Jaroslav Pantucek.

Çekia, shtet anëtar i Bashkimit Evropian, me një popullsi prej 10.5 milionë banorësh, më herët gjatë këtij viti ka ndërprerë furnizimet me gaz rus.

Dy rafineri në Republikën Çeke vitin e kaluar kishin pranuar 7.4 milionë tonë naftë dhe 56 për qind e naftës kishte ardhur nga Rusia përmes tubacionit Druzhba.

BE-ja në maj të vitit të kaluar vendosi ndalesa për shumicën e importeve të naftës ruse, për shkak të luftës së Moskës ndaj Ukrainës. Megjithatë, nga sanksionet nuk u prek tubacioni Druzhba.

Kryeministri çek, Petr Fiala, tha se mospërfshirja e këtij tubacioni në sanksione, i dha kohë Pragës që të negocionte marrëveshjen me TAL-in.

Ai lavdëroi marrëveshjen e re, të cilën e quajti “një hap të madh për pavarësinë tonë energjetike nga Rusia”.

I iniciuar më 1967, tubacioni TAL është në pronësi të një konsorciumi të përbërë nga tetë kompani të naftës, ku përfshihen Shell, EMI dhe ExxonMobile.

TAL transporton naftë nga Italia për në jug të Gjermanisë, prej ku më pas nafta dërgohet në Republikën Çeke dhe Austri përmes tubacioneve të tjera. /REL

MARKETING