Çavuşoğlu: Vendimi i Suedisë për të mos hetuar provokimin terrorist të PKK-së është “absurd”
Türkiye ka kritikuar refuzimin e Suedisë për të ndjekur penalisht mbështetësit e grupit terrorist PKK për demonstratat provokuese të javës së kaluar kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Vendimi i prokurorisë (suedeze) për të mos hetuar incidentin është jashtëzakonisht absurd, ne të gjithë e dimë se çfarë do të thotë sundimi i ligjit”, tha ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë një konference të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij iranian, Hossein Amir Abdollahian.
“Provokimi u krye nga terroristët”, tha Çavuşoğlu, duke i kujtuar Suedisë memorandumin trepalësh, përfshirë Finlandën, që u nënshkrua në një samit të NATO-s qershorin e kaluar për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Türkiyes.
“Kur shikoni në dëshminë e Suedisë në memorandum, a kanë ata një premtim për t’i luftuar ata (terroristët). Po, ata kanë. Së dyti, ne po flasim për lirinë e shprehjes. A është ky provokim sulm, një sulm racist? Po”, tha Çavuşoğlu.
Shefi i diplomacisë turke gjithashtu pyeti autoritetet suedeze nëse racizmi dhe krimi i urrejtjes konsiderohet krim në vendin nordik.
“Ky është një akt racist dhe urrejtjeje që përfshin një krim të urrejtjes. Kjo është kundër vlerave universale dhe është krim sipas ligjit ndërkombëtar. Nëse ata mendojnë se Suedia po na shpërqendron me lojëra fjalësh, do të donim të themi se ata vetëm po mashtrojnë veten”, tha Çavuşoğlu.
Ai gjithashtu tha se “Suedia ose do të bjerë viktimë e minave të vendosura nga terroristët ose ne të gjithë do të ecim përpara duke marrë parasysh sigurinë tonë dhe duke përmbushur angazhimet në memorandum”. Ai theksoi se vendimi këtu është mbi Suedinë.
Suedia dhe Finlanda në muajin maj të vitit 2022 aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n, duke braktisur dekada të mos angazhimit ushtarak, një vendim që u shkaktua nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Por Türkiye, një anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vite, shprehu kundërshtime duke akuzuar të dy vendet se tolerojnë dhe madje edhe mbështesin grupet terroriste, përfshirë PKK-në dhe organizatën terroriste FETO.
Qershorin e kaluar, Türkiye dhe dy vendet nordike nënshkruan një memorandum për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Ankarasë, duke i hapur rrugën anëtarësimit të tyre përfundimtar në aleancë.
Türkiye ka vlerësuar disa hapa të ndërmarra nga Suedia dhe Finlanda, por thotë se dy vendet duhet të bëjnë më shumë për të treguar qëndrimin e tyre të vendosur kundër terrorizmit dhe grupeve terroriste që kërcënojnë Türkiyen.
Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.
Shefi i diplomacisë turke komentoi edhe takimin trepalësh mes Türkiyes, Sirisë dhe Rusisë, duke theksuar se duhen ndërmarra hapa për një stabilitet të përhershëm dhe paqe në vendin e shkatërruar nga lufta.
Çavuşoğlu tha Türkiye dhe Irani mbështesin integritetin territorial të Sirisë dhe unitetin politik dhe shtoi se Ankaraja dhe Teherani do të bashkëpunojnë ngushtë në këtë drejtim.