“Bullgarë” me pasaporta italiane që spiunonin nga Londra, kush janë tre “007” e Rusisë

“Bullgarë” me pasaporta italiane që spiunonin nga Londra, kush janë tre “007” e Rusisë

Dy burra dhe një grua, me sa duket bullgarë, janë arrestuar në Britaninë e Madhe nën dyshimin se ishin spiunë të Rusisë. Treshja ilegale ishte vendosur mirë në Britani ku jetonin prej 10 vitesh, por u demaskuan në shkurt pas një hetimi kundër terrorizmit.

Ata janë flamuri i fundit i kuq në hartën e Evropës që sinjalizon aksionin intensiv të spiunllëkut nga Moska. Profilet e zbuluara nga mediat britanike flasin për jetë normale, edhe më kryesori i grupit kishte kontakte transparente me Rusinë, në marrëdhënie të thjeshta biznesi.

Orlin Roussev (45 vjeç), i cili mbërriti në ishull në vitin 2009, është pronar i një kompanie në fushën e teknologjisë dhe në të kaluarën ishte marrë me aspekte financiare. Për më tepër, në një nga CV-të e tij publike, ai saktëson se kishte vepruar si konsulent për Ministrinë e Energjisë në Sofje. Vendbanimi i fundit i tij në Britani ishte në Great Yarmouth.

Nga ana tjetër, Bizer Dzhambazov (41 vjeç) ishte shofer në një spital dhe jetonte me bashkëpunëtoren e tij, të dyshuarën tjetër, Katrina Ivanova (31 vjeçe) në Harroë, në verilindje të Londrës. Edhe gruaja ishte e punësuar në sektorin shëndetësor, por privat. Të dyja kanë qëndruar në territorin britanik për gati dhjetë vjet, duke filluar punë në një shoqatë që ndihmonte komunitetin bullgar.

Ndër detyrat e tyre – sipas BBC – ishte të ndihmonin bashkatdhetarët të familjarizohen me kulturën dhe rregullat, një angazhim që ndoshta mund të jetë i dobishëm për zgjedhjen e kandidatëve të ardhshëm për celulën spiune të komanduar nga Kremlini.

BBC zbuloi gjithashtu se Scotland Yard ka sekuestruar një numër të madh pasaportash dhe kartash identiteti të falsifikuara nga Bullgaria, Franca, Italia, Spanja, Kroacia, Sllovenia dhe Republika Çeke.

Me to tre të arrestuarit mund të lëviznin nëpër kontinent, të krijonin marrëdhënie dhe të arrinin pa u zbuluar në vende ku takoheshin me referentë të mundshëm.

Aspekti tjetër i përsëritur është i lidhur me dritaren e madhe kohore. Shumë ujëra kanë rrjedhur para se të identifikohej treshja. “Spiunët” mund të kenë filluar të kërkojnë informacion thuajse menjëherë sapo kanë hyrë në Britani, por nuk do të ishte as e çuditshme nëse do të kishin pritur me muaj, në mos vite, para se të bëheshin operativë.

Kjo varet nga kushtet dhe porositë, duke marrë parasysh faktin se një karakteristikë e rusëve është durimi, që cilësohet si armë shtesë për agjentët në investime reale afatgjata.

Kapja e “bullgarëve” është hallka e fundit, pasi shumë “ilegalë” të tjerë janë ndaluar në Perëndim, nga Italia në Slloveni, nga Greqia në Holandë, nga Suedia në Norvegji. Po ashtu qindra zyrtarë rusë janë dëbuar, teksa strukturat e NATO-s kanë ngritur murin dhe kundërshtarët kanë guxuar më shumë pas pushtimit të Ukrainës.

Ka më pak “tolerancë” dhe më shumë kontrast, me shumë hije, duke filluar nga e shpërthimet në gazsjellësin “Nord Stream” dhe më herët, shpërthimet e çuditshme në depot e municioneve në Evropën Lindore që u atribuohen njerëzve të Putinit. /A2news/

MARKETING