Bujar Osmani: Nga zgjedhjet në Çair varet e ardhmja e shqiptarëve, por edhe e gjithë shtetit

Bujar Osmani: Nga zgjedhjet në Çair varet e ardhmja e shqiptarëve, por edhe e gjithë shtetit

Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, pas nënshkrimit të Kodit për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, theksoi rëndësinë historike të zgjedhjeve të ardhshme, duke vlerësuar se rezultati në Çair do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e komunës, por edhe pozitën e shqiptarëve në shtet për dekadat që vijnë.

“Këto zgjedhje do ta përcaktojnë të ardhmen e komunës sonë, por edhe të gjithë shqiptarëve për dhjetë, madje edhe njëzet vitet e ardhshme”, tha Osmani.

Në fjalën e tij, ai theksoi dilemat thelbësore para të cilave ndodhen qytetarët – çfarë Çairi duan dhe cila do të jetë pozita dhe përfaqësimi i shqiptarëve në shtet.

“Së pari, a do të fillojë më në fund Çairi të ndryshojë. A do t’i japim fund njëzet viteve të ngecjes, shkatërrimit dhe korrupsionit në komunën tonë dhe të ecim përpara me energji të re, pa korrupsion, me punë dhe përkushtim. Dhe së dyti, a do të jenë më në fund shqiptarët të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë, apo do të mbeten vasalë në një qeveri që nuk i respekton të drejtat e tyre. A do të dëgjohet zëri i shqiptarëve si komunitet i barabartë, si popull shtetformues apo do të vazhdojnë poshtërimet”, theksoi Osmani.

Osmani i ftoi qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhje, sepse vetëm kështu mund të thonë qartë se duan ndryshime.

“Çdo votë është e rëndësishme. Ky është momenti për të thënë mjaft është. Për të thënë se pas njëzet vitesh ka ardhur koha për ndryshim. Jo vetëm të ndërrohen njerëzit, por të ndryshohet mënyra e qeverisjes, e cila duhet të jetë e ndershme, e përkushtuar, e hapur dhe bashkë me qytetarët. Por kjo do të jetë e mundur vetëm nëse të gjithë dalim masivisht dhe votojmë”, tha Osmani.

Ai theksoi se fushata e tij do të mbetet e ndershme dhe pozitive, por me një qëllim të qartë – ndryshim në Çair dhe rikthim të dinjitetit të shqiptarëve.

“Detyra ime është që kjo fushatë të mbetet e ndershme, pozitive dhe e fokusuar tek zgjidhjet për problemet e qytetarëve. Qytetarët tanë nuk kërkojnë teatër politik, as fyerje e sulme. Ata kërkojnë ndryshime, rezultate dhe shpresë. Ky do të jetë fokusi im i vetëm në njëzet ditët e ardhshme”, deklaroi Osmani.

MARKETING