Bujar Osmani: Bit Pazari është zemra e ekonomisë së Çairit, do t’ia kthejmë dinjitetin

Bit Pazari, një nga tregjet më të vjetra dhe më të njohura në Shkup, pritet të transformohet në një hapësirë moderne dhe funksionale, duke ruajtur trashëgiminë historike dhe kulturore që e karakterizon prej dekadash.
Gjatë një vizite të zhvilluar sot në këtë treg, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, prezantoi Programin për Përmirësimin e Kushteve në Bit Pazar, një plan gjithëpërfshirës që synon të sjellë përmirësime konkrete në jetën dhe punën e tregtarëve, si dhe në përvojën e vizitorëve.
“Bit Pazari nuk është vetëm një treg. Ai është zemra e Çairit dhe simbol i Shkupit. Prej dekadash aty takohen breza, ushqehen familje dhe sigurohet jetesa me punë të ndershme. Por kushtet aktuale nuk janë të denja për këtë mund. Është koha që kjo të ndryshojë,” – deklaroi Osmani.
Parkim, higjienë dhe siguri – prioritetet e para
Një nga hapat e parë që parashikon plani është zgjidhja e problemit të parkimit. Afër tregut do të ndërtohet një garazh me kate, me tarifa simbolike për tregtarët dhe kushte të përballueshme për qytetarët. Sipas Osmanit, kjo do të lehtësojë qasjen, do të shtojë numrin e vizitorëve dhe do të rrisë qarkullimin e mallrave.
Programi gjithashtu përfshin investime në higjienë dhe siguri:
Pastrim të rregullt
Ndriçim modern
Sisteme të video-mbikëqyrjes
“Bit Pazari duhet të jetë njëkohësisht i pastër dhe i sigurt – kjo është në interes të tregtarëve, blerësve dhe të gjithë qytetarëve,” – shtoi Osmani. Transformim me vizion arkitektonik dhe turistik
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i planit është shndërrimi i Bit Pazarit në një atraksion turistik. Ky projekt do të hartohet në bashkëpunim me arkitektin me renome ndërkombëtare Michel Rojkind, i cili do të zhvillojë një koncept që ruan shpirtin tradicional të tregut, duke i dhënë atij një pamje dhe funksionalitet të denjë për shekullin XXI.
Vendimmarrje me transparencë dhe pjesëmarrje
Osmani theksoi se të gjitha ndryshimet do të bëhen me transparencë të plotë dhe në konsultim të ngushtë me palët e interesuara. Do të formohet një Këshill i Tregtarëve, i cili do të veprojë si partner i Komunës në proceset vendimmarrëse dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit tregtar.
“Jam i bindur se me këto masa konkrete, Bit Pazari do të bëhet krenaria e Çairit dhe e tërë Shkupit. Këto nuk janë fjalë boshe, por pjesë e një programi të qartë, me afate dhe projekte konkrete. Së bashku do të ndërtojmë një Bit Pazar me të cilin do të krenohemi të gjithë,” – përfundoi Osmani.