Britania kundër rikthimit të Rusisë në G7

Britania përsëriti me vendosmëri kundërshtimin e saj ndaj rikthimit të Rusisë në G7, pas komenteve të bëra nga ministri i sigurisë Dan Jarvis.
Jarvis kishte lënë të kuptohet se qeveria mund të merrte në konsideratë kthimin e Rusisë në grupin ndërkombëtar, por vetëm pasi të ishte zgjidhur konflikti në Ukrainë.
Në një intervistë, ai tha se një vendim i tillë do të ishte “çështje për t’u diskutuar me aleatët ndërkombëtarë” sapo të përfundonte lufta në Ukrainë.
“Kjo është një çështje që pa dyshim do të konsiderohet në pikën në të cilën konflikti në Ukrainë ka përfunduar. Dhe ne duhet të arrijmë në atë pikë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Jarvis.
Megjithatë, disa çaste më vonë, gjatë një konference me gazetarët, një zëdhënës i kryeministrit britanik Keir Starmer bëri të qartë se qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar për rihyrjen e Rusisë në G7 mbetet i pandryshuar.
“Pozicioni ynë për G7-tën thjesht nuk ka ndryshuar”, tha zëdhënësi. “Ne nuk mund të pranojmë që Rusia t’i bashkohet G7-tës ndërsa ajo ka forca të paligjshme në Ukrainë. Ky ka qenë qëndrimi ynë i kahershëm. Ky pozicion nuk ka ndryshuar”, shtoi ai.
Rusia u përjashtua nga G7-a, më pas nga G8-a, në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë dhe kthimi i saj në grup ka mbetur një çështje e diskutueshme në politikën ndërkombëtare.
Në fillim të këtij muaji, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se do të dëshironte që Rusia të kthehej në grupin e shtatë vendeve.