“Britania dhe SHBA-ja të vendosura që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore”

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy tha se ata së bashku me SHBA-në janë të vendosur që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore, transmeton Anadolu.
MARKETING
Lammy ka vizituar SHBA-në për kontakte zyrtare dhe në një postim në llogarinë e tij në X ka deklaruar se situata në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë e rrezikshme pas konfliktit që filloi me sulmet e Izraelit ndaj Iranit.
“Ne jemi të vendosur që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore”, tha Lammy.
Ai tha se u takua në Shtëpinë e Bardhë me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio dhe me Steve Witkoff, përfaqësuesin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme dhe se ata diskutuan “se si një marrëveshje mund të parandalojë thellimin e konfliktit”.
“Ekziston një dritare mundësie për të arritur zgjidhje diplomatike në dy javët e ardhshme”, shtoi sekretari britanik.
– “Është koha për të parandaluar përshkallëzimin rajonal që nuk do t’i sjellë dobi askujt”
Lammy theksoi se me homologët e tij francezë, gjermanë dhe të Bashkimit Evropian (BE) do të udhëtojë për në qytetin Gjenevë të Zvicrës për t’u takuar me ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi.
“Është koha për të ndaluar skenat e rënda në Lindjen e Mesme dhe për të parandaluar përshkallëzimin rajonal që nuk do t’i sjellë dobi askujt”, tha Lammy.
– Konflikti që filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit
Më 13 qershor, Izraeli kreu sulme në shkallë të gjerë duke shënjestruar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran, përfshirë edhe nivelin e lartë komandues të ushtrisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm iranian, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë humbën jetën në sulme ndërsa numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë u rrit në 224.
Më tej u transmetua se 25 persona u vranë dhe mbi 500 të tjerë u plagosën në kundërsulmet e ushtrisë iraniane me raketa balistike ndaj Izraelit.
Në një deklaratë nga Ministria iraniane e Shëndetësisë më 15 qershor thuhej se të paktën 224 persona u vranë dhe më shumë se 1.277 të tjerë u plagosën në sulmet e Izraelit ndaj Iranit.
Shumë vende veçanërisht Turqia, e dënuan Izraelin.