Bozhinovska: Maqedonia ka potencial serioz diellor që duhet shfrytëzuar maksimalisht
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska sot iu drejtua ngjarjes “Dita diellore – energjia e pastër në praktikë”, organizuar nga Agjencia për inovacion dhe zhvillim shkencor – teknologjik dhe sipërmarrësi – INOVA, me rastin e 26 janarit – Ditës ndërkombëtare të energjisë së pastër.
Në fjalimin e saj, ministrja Bozhinovska theksoi se festimi i Ditës ndërkombëtare të energjisë së pastër është një kujtesë e fuqishme për përgjegjësinë e përbashkët, por edhe e mundësisë strategjike që vendi ka në procesin e tranzicionit energjetik drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm, të besueshëm dhe modern.
„Energjia diellore tani është një nga shtyllat më të rëndësishme të tranzicionit kombëtar energjetik. Maqedonia ka një potencial serioz diellor dhe orientimi ynë i qartë strategjik është ta shfrytëzojmë atë në maksimum – përmes një kuadri rregullator të qëndrueshëm, mbështetjes së investimeve dhe rolit aktiv të shtetit”, theksoi Bozhinovska.
Ajo vuri në dukje se gjatë vitit të kaluar është shënuar një rritje e konsiderueshme e kapaciteteve fotovoltaike, si rezultat i rritjes së interesit si nga investitorët ashtu edhe nga qytetarët, gjë që konfirmon besimin në energjinë diellore si një zgjidhje me kosto efektive dhe të qëndrueshme. Ministrja theksoi se ministria nuk është vetëm një rregullator, por një nxitës aktiv i proceseve, me fokus në investimet shtetërore në kapacitetet diellore, sistemet e ruajtjes së energjisë dhe planifikimin strategjik të dekarbonizimit.
Në fjalim u theksua gjithashtu rëndësina e partneritetit me sektorin privat, komunitetin akademik dhe qytetarët si një parakusht i domosdoshëm për një tranzicion të suksesshëm dhe të barabartë energjetik.
“Tranzicioni energjetik nuk është projekt i një institucioni. Është një proces bashkëpunues që kërkon bashkëpunim, njohuri dhe vizion. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një sistem energjetik modern, të besueshëm dhe të qëndrueshëm që do të sigurojë cilësi më të mirë jetese dhe mjedis më të pastër”, porositi ministrja Bozhinovska.
Ngjarja “Dita diellore – energji e pastër në praktikë”, e cila u zhvillua në Europe House, përfshiu një sesion edukativ dhe një panel diskutimi mbi mundësitë dhe sfidat e energjisë diellore në Maqedoni, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, komunitetit akademik dhe kompanitë nga sektori i energjisë.

