Borrell: Kosova dhe Serbia hodhën hapin e parë drejt zbatimit të marrëveshjes së Ohrit

Borrell: Kosova dhe Serbia hodhën hapin e parë drejt zbatimit të marrëveshjes së Ohrit

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi organizimin e një takimi të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Paralajmërimi pasoi takimin e së martës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, gjatë të cilit tha ai, ata u pajtuan për tekstin e deklaratës mbi personat e zhdukur gjate luftës. Ky është hapi i parë, tha zoti Borrell.

“Ne do ta miratojmë atë në takimin e udhëheqësve (të të dyja vendeve) në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do ta organizoj”, shkroi zoti Borrell, duke theksuar se Bashkimi Evropian pret që dy vendet të respektojnë detyrimet që dalin nga marrëveshja Ohrit dhe të fillojnë zbatimin sa më parë.

Nuk është e qartë se kur mund të ndodhë takimi i nivelit të lartë, ndonëse të martën është përmendur periudha e dhjetë ditëve të fundit të muajit prill.

Me 18 mars në Ohër, udhëheqësit e të dyja vendeve u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Takimi i kryenegociatorëve ishte i pari pas pajtimit të 18 marsit rreth marrëveshjes, në njërën nga pikat e së cilës thuhet se palët “pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur…si çështje urgjente”.

Njëzetekatër vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ende nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave, shumica e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Plani i marrëveshjes që mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, tha pas takimit të së martës se për herë të parë është diskutuar për hapat konkret për themelimin e Asociacionit.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mes tjerash është diskutuar edhe për marrëveshjen mbi energjinë si dhe çështjen e targave të makinave, në dritën e incidenteve të fundit në veriun e vendit ku u dogjën disa makina me targa të Kosovës, pronë e qytetarëve serbë./VOA/

MARKETING