Borrell: Evropa e njeh Bujar Osmanin si lider që ka sjellë rezultate

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, njëherësh ish-nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borrell, përmes një videomesazhi e vlerësoi lart kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani.
Duke iu drejtuar banorëve të Çairit, Borrell theksoi se është shumë i kënaqur që ka pasur mundësinë të bashkëpunojë me Osmanin.
“Është kënaqësi e madhe për mua të flas për një njeri me të cilin kam bashkëpunuar ngushtë për shumë vite. Si ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe si kryesues i OSBE-së, ai tregoi lidership, vizion dhe përkushtim të thellë ndaj dialogut dhe bashkëpunimit”, tha Borrell.
Në mesazhin e tij, Borrell potencon se ishte veçanërisht i impresionuar nga aftësia e ish-shefit të diplomacisë Osmani për të dëgjuar, për të ndërtuar ura dhe për të gjetur zgjidhje. Cilësi këto që, sipas tij, janë kyçe jo vetëm në diplomaci, por edhe në qeverisjen lokale.
“E di sa shumë beson ai në zbatimin e premtimeve të Evropës në nivel lokal. Përvoja e tij me institucionet evropiane do t’i ndihmojë Çairit të përfitojë nga fondet dhe mundësitë evropiane, për infrastrukturë më të mirë, sistem arsimor më cilësor, më shumë vende pune dhe shërbime më të mira”, theksoi Borrell.
Ai rikujtoi se Evropa e njeh Osmanin si lider që realizon.
“Besoj se banorët e Çairit do ta njohin si kryetar komune që dëgjon, që bashkon dhe që sjell përparim për çdo banor. Ai e ngriti zërin e popullit të tij në skenën ndërkombëtare. Tani je i gatshëm ta sjellësh të njëjtin përkushtim në rrugët dhe lagjet e Çairit. Përshëndetje nga Santander dhe të uroj shumë suksese në këtë mision të rëndësishëm”, përfundoi Borrell.