Borrell: BE-ja po e humb durimin me Kosovën e Serbinë
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian janë duke humbur durimin përballë situatës së tensionuar në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media në Bruksel, bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Borrelli ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë marrë propozim për zgjidhje urgjente të situatës.
“E kam bërë të qartë dhe ishte qëndrim i shteteve anëtare dje që palët duhet ta shtensionojnë situatën dhe të gjejnë zgjidhje përpara bazuar në udhërrëfyesin evropian që u është propozuar në tavolinë javën e kaluar. Jemi pajtuar që kërkohen lëvizje të shpejta, shtensionim e zgjidhje urgjente dhe shtetet anëtarë kanë pajtim për këtë urgjencë dhe janë duke e humbur durimin ndaj situatës që po vazhdon të përshkallëzojë dhe kërkohen veprime të menjëhershme”, ka thënë ai të martën.
Borrelli ka falënderuar Ramën për “përpjekjet” e tij për shtensionimin e situatës.
Përkrahje për planin trepikësh të propozuar nga BE-ja kanë dhënë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.
Që nga fundi i muajit maj në veri të Kosovës ka pasur tensione pas nisjes së protestave nga serbët lokalë që kanë kundërshtuar ushtrimin e detyrës së kryetarëve të rinj nga objektet komunale. Protestat nisën me dhunë dhe si pasojë e tyre fillimisht pësuan rreth 30 ushtarë të KFOR-it e disa policë të Kosovës, si dhe në vazhdimësi gazetarët e ekipet mediale.
Situata u përshkallëzua më 14 qershor, kur forcat serbe rrëmbyen tre policë të Kosovës brenda territorit të vendit. Të tre policët u liruan të hënën.