Blinken: Kushtet e Rusisë për negociata nuk janë të pranueshme

Blinken: Kushtet e Rusisë për negociata nuk janë të pranueshme

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken tha se pretendimi i Rusisë se janë në favor të diplomacisë, por se Ukraina dhe Perëndimi janë kundër saj nuk është krejtësisht i gabuar, sepse Moska i ka lidhur negociatat me kushtin që Kievi të heqë dorë nga tokat që ka humbur dhe se kjo është e pamundur të pranohet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Blinken mbajti një konferencë të përbashkët për media pas takimit me sekretarin e Jashtëm britanik, James Cleverly.

Në pyetjen përse Ukrainës nuk i jepen armë dhe raketa më të avancuara, Blinken tha se ata furnizojnë ushtrinë ukrainase me armë që ajo mund t’i përdorë, t’i mbajë dhe t’i mirëmbajë.

Sipas tij, SHBA-ja deri më tani ka siguruar armë dhe municione në vlerë 25 miliardë dollarë për ushtrinë e Ukrainës. “Në ditët e ardhshme do të njoftojmë edhe paketat e reja të ndihmës me armë. Rruga më e lehtë për të përfunduar në mënyrë të përhershme këtë luftë, për të shkuar në diplomaci dhe marrëveshje, është të forcohet dora (e Ukrainës) në fushën e betejës. Ne pikërisht këtë po bëjmë”, tha Blinken.

Duke folur lidhur me akuzat e Moskës ndaj Ukrainës, Perëndimit dhe kryesisht SHBA-së për shmangie nga negociatat, Blinken tha:

“Ka një tregim se rusët prej javësh dhe muajsh kanë kërkuar me insistim dhe duan diplomaci, por që Ukraina dhe ne nuk e duam këtë. Kjo sigurisht që nuk është plotësisht e gabuar. Unë mendoj se është e nevojshme që të dëgjohen fjalët e Putinit në një bisedë kohë më parë me presidentin e Türkiye-s, Erdoğan. Thotë se ‘nuk ka çfarë të negociohet për sa kohë që Ukraina nuk pranon realitetin e ri në terren‘. Pra, me fjalë të tjera thotë se “nuk ka asgjë për të negociuar për sa kohë që Ukraina nuk pranon dhe nuk miraton se nuk mund t‘i rimarrë tokat që Rusia ka marrë me forcë‘. Kjo është një gjë e pamundur për t’u pranuar”.

Rusia është më e izoluar se kurrë

Sekretari i Jashtëm britanik, Cleverly, në fjalën e tij theksoi se duhet të përgëzohet mbështetja që SHBA-ja ka dhënë për Ukrainën.

“Nuk duhet të harrojmë që Rusia nuk ka qenë kurrë më e izoluar në historinë e saj ndërsa aleanca Atlantike nuk ka qenë kurrë kaq e bashkuar. Nëse Putin ka besuar se bota do të lodhej në Ukrainë dhe se do të humbiste vullnetin e saj për t’i rezistuar ambicieve të tij, kjo do të ishte një gabim i dytë kolosal për të”, deklaroi Cleverly.

Ai tha se me homologun e tij Blinken kanë diskutuar për luftën Ukrainë-Rusi, ekzekutimin e shtetasit iraniano-britanik dhe ish-zëvendësministrit iranian të Mbrojtjes, Ali Reza Akbari nga ana e Iranit, shqetësimet për programin bërthamor të Teheranit si dhe furnizimin e Rusisë me mjete ajrore pa pilot.