Blinken: Anëtarësimi i Finlandës është një moment historik për NATO-n

Blinken: Anëtarësimi i Finlandës është një moment historik për NATO-n

Sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken e cilësoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, një ditë historike.
“Jam i tunduar ta them se ndoshta kjo është e vetmja gjë për të cilën mund të falënderojmë Presidentin rus Putin, sepse ai shkaktoi diçka që donte qartë ta parandalonte, ” tha Antony Blinken.

Agresioni i Rusisë ka bërë që shumë vende të besojnë se duhet të bëjnë më shumë për të mbrojtur veten dhe për t’u siguruar që mund të pengojnë agresionin e mundshëm rus në të ardhmen, shtoi Blinken.

“Ky është vërtet një moment historik për Aleancën, për Komunitetin Transatlantik, por edhe për komunitetin global që mbron fuqishëm parimet bazë të Kartës së OKB-së dhe mbron fuqishëm sigurinë dhe stabilitetin e paqes.

Kjo është me të vërtetë një ditë historike, sepse sot ne mirëpresim Finlandën në Aleancë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Flamuri i Finlandës do të ngrihet sot jashtë selisë së NATO-s në Bruksel, pasi vendi i Europës veriore është bërë zyrtarisht anëtari i 31-të i Aleancës.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe sekretari i shtetit i SHBA-së Anthony Blinken do të takohen me ministra të tjerë të NATO-s për ceremoninë e pranimit.

Hyrja e Finlandës në aleancë është përshkruar si një pengesë për presidentin rus Vladimir Putin, i cili kishte qenë i zëshëm për kundërshtimin e tij ndaj zgjerimit të NATO-s edhe para pushtimit të Ukrainës.

MARKETING