Blerim Bexheti: Kallëzimi penal ndaj meje është persekutim politik i orkestruar nga Mickoski

Blerim Bexheti: Kallëzimi penal ndaj meje është persekutim politik i orkestruar nga Mickoski

Blerim Bexheti deklaron se kallëzimi penal ndaj tij nga Policia Financiare është politikisht i motivuar dhe pjesë e një persekutimi të organizuar të dirigjuar, sipas tij, nga Kryeministri Mickoski për të ushtruar presion ndaj deputetëve të BDI-së. Ai thekson se të gjitha procedurat në komunë janë kryer në përputhje me ligjin dhe se pretendimet për dëm financiar janë të sajuara. Bexheti paralajmëron padi kundër drejtuesve të Policisë Financiare, ndërsa thekson se deputetët e BDI-së nuk do t’i nënshtrohen presionit politik dhe se do të vazhdojnë betejën për të drejtat e shqiptarëve. Ai e quan këtë rast një sulm ndaj dinjitetit dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve dhe premton se do ta demaskojë, siç thotë, persekutimin politik.

“Kam thirrur konferencën e sotme për shtyp për të demaskuar Kallëzimin Penal të ngritur nga Policia Financiare dhe I cili  është i motivuar politikisht dhe krejtësisht I  pabazuar në normat ligjore.  Kjo është vetëm pjesë e një persekutimi të organizuar, të dirigjuar nga qeveria dhe atë drejtpërdrejt nga Kryeministri Mickoski, me qëllim të qartë për të ushtruar presion mbi mua si deputet, me qëllim rritjen e shumicës në parlament. Sot u them publikisht atyre se as unë dhe as ndonjë deputet tjetër i BDI-së nuk ka frikë nha këto konstrukcione dhe nuk do t’i nënshtrohet presionit nga qeveria! Kallëzimi penal i ngritur nga Policia Financiare është tërësisht i pabazuar, dhe për këtë arsye ne do të ngremë procedura përkatëse kundër Drejtorit Slobodan Ivanovski, Zëvendës Drejtorit Ilber Imeri dhe dy personave të tjerë që së bashku si një bandë e organizuar po oimplemntojnë këtë orkestrim të persekutimit politik”, thotë Bexheti.

Ai tha se do të dëshmojë përmes provave se urdhrat vijnë direkt nga Kryeministri Mickoski, e që sipas tij janë një përpjekje e drejtpërdrejtë për të ushtruar presion mbi të si deputet me qëllim rritjen e shumicës në parlament.

“Prandaj, sot po u drejtohem publikisht me një mesazh se funksionet e tyre nuk janë të përjetshme, por lufta jonë për të drejtat e shqiptarëve që udhëheqësi ynë Ali Ahmeti e ka udhëhequr për më shumë se 20 vite është e ndershme dhe e sinqertë. Asnjë nga deputetët e BDI-së nuk do t’i nënshtrohet presionit tuaj dhe nuk do t’i bashkohet as Ju as VLEN-it, aq më pak unë. Do të demaskojmë këtë akuzë të sajua dhe të motivuar politikisht kundër nesh, dhe pastaj do ta vërtetojmë institucionalisht persekutimin politik të  tyre.  Të gjitha procedurat e Komunës janë kryer brenda kornizës së kompetencave ligjore, me dokumente dhe akte të vlefshme. Në asnjë moment nuk ka pasur ndonjë paramendim, dhe asnjë përfitim dhe edhe më pak  dëm për komunën”, thotë Bexheti.

Ai nënvizon se ⁠Ligji për Vetëqeverisjen Lokale thotë qartë se kryetari i komunës lëshon leje ndërtimi, është obligim  i tij ligjore, jo kriminalitet.  ⁠Ligji i Ndërtimit, shon ai, lejon dhënien e lejes vetëm të bazuar në një plan ose projekt urbanistik të vlefshëm, dhe kjo është pikërisht ajo që është bërë.

“Nuk ka dëme materiale, asnjë humbje as  prej një denari për komunën. Gjithçka është e dokumentuar dhe gjithçka është e pastër.Dje ata flisnin në mënyrë skandaloze për “108 milionë denarë dëm”? Kjo është vetëm një sajesë për të krijuar një spektakël mediatik, për të shpifur dhe frikësuar, por gënjeshtrat nuk janë prova. Pikërisht për këtë arsye kjo padi e tyre e sajuar dhe e porositur politikisht do të dështojë. Le t’u jetë e qartë si Kryeministrit ashtu edhe izmeqarëve të tij që po e kryejnë këtë përndjekje politike – funksionet e tyre nuk janë të përjetshme. Ky nuk është vetëm një sulm ndaj nesh deputetëve, ky është një sulm ndaj dinjitetit të shqiptarëve, ndaj përfaqësuesve të tyre legjitimë, ndaj vullnetit politik të shqiptarëve dhe është një përpjekje e drejtpërdrejtë për të na heshtur. Mickoski duhet ta ketë të qartë,  se ne nuk do të heshtim, as nuk do të tërhiqemi. Ne do ta demaskojmë këtë  persekutimin e tij dhe do ta dëshmojmë  të vërtetën – ligjërisht, institucionalisht dhe politikisht”, tha Bexheti.

MARKETING