Bjellorusia njofton që njësitë e përbashkëta ushtarake rajonale janë të gatshme për mbrojtje

Bjellorusia njofton që njësitë e përbashkëta ushtarake rajonale janë të gatshme për mbrojtje

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë, njoftoi se forca rajonale e përbashkët Rusi-Bjellorusi është e gatshme për detyrën e mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëvendësministri bjellorus i Mbrojtjes, Andrey Zhuk, në një deklaratë tha se përgatitja dhe koordinimi i forcave të përbashkëta rajonale është kryer që nga fundi i tetorit në kuadër të vendimit të marrë nga presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Njësitë ushtarake kanë kryer shumë stërvitje, tha Zhuk, duke shtuar: “Sot mund të thuhet se njësitë ushtarake rajonale janë të gatshme për të mbrojtur Shtetin e Bashkimit Rusi-Bjellorusi”.

Zhuk informoi se në të ardhmen do të vazhdojnë të punojnë drejt përsosjes së njësive të përbashkëta ushtarake rajonale në nivele të ndryshme. Më tej Zhuk informoi se në territoret bjelloruse do të mbahen stërvitje të përbashkëta fluturimi dhe se në fund të vitit do të zhvillohet stërvitja ‘Mburoja-2023‘ e ushtrisë së Rusisë dhe Bjellorusisë.

Ndërkaq, Sekretari i Sigurimit Shtetëror të Bjellorusisë, Alexander Volfovich, ka vënë në dukje se njësitë e përbashkëta ushtarake rajonale janë prej elementëve të parandalimit strategjik. Më tej Volfovich theksoi se “ky është një element që duhet të ftohë kokat e zjarrta në Perëndim, i cili sot ka një politikë agresive ndaj Shtetit të Bashkimit Rusi-Bjellorusi”.

– Lukashenko mori raport lidhur me njësitë e përbashkëta rajonale

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, pas një vizite në poligonin Obuz-Lesnovsky, ku janë vendosur ushtarët rusë të lidhur me njësitë e përbashkëta ushtarake rajonale, mori raport lidhur me përfundimin e koordinimit luftarak të njësive.

Gjithashtu, Ministria bjelloruse e Mbrojtjes njoftoi se edhe një tren tjetër mallrash që transporton ushtarë dhe pajisje ushtarake ruse ka mbërritur për njësitë ushtarake rajonale ruse-bjelloruse.

Putin dhe Lukashenko në muajin tetor formuan forcën e përbashkët rajonale të përbërë nga njësitë ushtarake të dy vendeve, me arsyetimin e rritjes së tensioneve në kufijtë e Shtetit të Bashkimit.

Ministria bjelloruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forca rajonale në fjalë nuk do të zhvillojë aktivitete në territoret e një vendi tjetër, por se vetëm synon që të forcojë mbrojtjen dhe ruajtjen e kufijve të Shtetit të Bashkimit.

MARKETING