Bislimi: Lajçak konfirmoi se letra e Brnabiqit nuk është tërhequr

Bislimi: Lajçak konfirmoi se letra e Brnabiqit nuk është tërhequr

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit të sotëm në Bruksel me dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, kundër zbatimit të pikave të Marrëveshjes që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, nuk është tërhequr.

Bislimi tha se për mos tërheqjen e letrës ka mësuar nga ndërmjetësi në dialog, Miroslav Lajçak.

“Sot e kuptuam nga Lajçak se letra nuk është tërhequr. Por ajo që ka dashur të thotë ai në Prishtinë është se po punohet me Serbinë që e njëjta të tërhiqet. Letra nuk është tërhequr. As nuk ka kërkesë për tërheqje të saj, por po punohet në atë drejtim që e njëjta të tërhiqet”, tha Bislimi, raporton RTK.
Ai tha për gazetarët se një takim trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

Por, kryenegociatori serb, Petkoviq, e akuzoi Bislimin se nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Beogradit për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, homologu i Bislimit, Petar Petkoviq gjithashtu konfirmoi se Beogradi ka insistuar në temat siç janë formimi i Asociacionit i komunave me shumicë serbe, shërbimet postare apo çështja e urës.

Gjithnjë sipas Petkoviqit, pa u trajtuar këto tema, nuk mund të flitet për normalizim.

Kryenegociatorët nga Prishtina e Beogradin nga dy herë kanë zhvilluar takime të ndara me Mirsolav Lajçak.

Duket se ndërmjetësi Lajçak ka në plan që sërish të organizoj një takim të kryenegociatorëve gjatë muajit tetor. /Telegrafi/

MARKETING