Bilalli: Patriotizmi i vërtetë është zhvillimi ekonomik
Profesori universitar Mersel Bilalli deklaroi sonte në emisionin “Debat në SHENJA” se zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioriteti kryesor i çdo shoqërie, duke e cilësuar atë si formën më të lartë të patriotizmit.
Sipas tij, kur bëhet fjalë për renditjen e prioriteteve që duhet të realizohen si bashkësi etnike dhe si komb, zhvillimi ekonomik duhet të qëndrojë në majë të piramidës.
“Zhvillimi ekonomik është patriotizmi mbi çdo patriotizëm tjetër. Pra, kur do t’i radhisja prioritetet që duhet t’i realizojmë si bashkësi etnike, si komb, në maje të piramidës e shoh zhvillimin ekonomik. Njerëzit mund të flasin e të debatojnë për shumë çështje, por ata tri herë në ditë duhet të ushqehen, duhet të jetojnë mirë, të kenë pushime, argëtim dhe një jetë normale. Kjo është e mundshme vetëm përmes një organizimi të mirëfilltë ekonomik”, deklaroi Bilalli.
Ai theksoi se mirëqenia e qytetarëve dhe rritja e standardit të jetesës duhet të jenë në qendër të politikave publike, pasi vetëm përmes një sistemi ekonomik të organizuar mund të sigurohet stabilitet dhe perspektivë afatgjatë për shoqërinë. /SHENJA/

