Biden diskuton për konfliktin Palestinë-Izrael me liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë

Biden diskuton për konfliktin Palestinë-Izrael me liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden diskutoi për konfliktin Palestinë-Izrael me liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti Biden lidhur me konfliktin Palestinë-Izrael zhvilloi një takim virtual me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministrin e Britanisë, Rishi Sunak.

Liderët në takim përsëritën se “mbështesin të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër terrorizmit” dhe bënë thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar për mbrojtjen e civilëve. Liderët shprehën kënaqësinë për lirimin e dy pengjeve amerikane dhe theksuan se duan lirimin e të gjithë pengjeve.

Gjithashtu liderët shprehën vendosmërinë e tyre për të qenë në koordinim të ngushtë për të mbështetur qytetarët në rajon, kryesisht ata që duan të largohen nga Gaza.

Në takim u shpreh “kënaqësia” për mbërritjen e autokolonave me ndihma humanitare tek palestinezët në nevojë në Gaza ndërsa u theksua se “me partnerët në rajon do të vazhdohet të punohet në bashkëpunim për të përballuar nevojat e ndihmës të tilla si ushqim, ujë dhe ndihmë mjekësore”.

Liderët theksuan se “mbështesin vazhdimin e koordinimit të ngushtë diplomatik për të parandaluar përhapjen e konfliktit dhe për të ruajtur stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe se do të punojnë për zgjidhjen politike dhe paqen afatgjate”.

Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, njoftuan se liruan dy të burgosur amerikanë (nënën dhe vajzën) për arsye humanitare si përgjigje ndaj përpjekjeve të Katarit.

MARKETING