Beqiri dhe Cake: Nesër kërkojmë tre pikët e para në Ligën e Konferencës

Beqiri dhe Cake: Nesër kërkojmë tre pikët e para në Ligën e Konferencës

Shkëndija të enjten në Shkup luan ndeshjen e raundit të dytë dhe të parën si vendase në fazën kryesore të një kompeticioni Evropian, ndërsa para duelit me Shelbourne FC nga Irlanda para mediave folën trajneri Beqiri dhe mbrojtësi Cake.

Jeton Beqiri: “Është e rëndësishme që si ndeshja e parë që kemi para tifozëve tanë, tani më në fazën e Ligës së Konferencës të jemi shumë serioz në aspektin e paraqitjes. Mendoj se kishim mjaftueshëm kohë për tu përgatitur për këtë ndeshje dhe besoj me gjithë futbollistët që do të japin maksimumin, me ndihmën e publikut dhe ambientin që do të krijohet, shpresoj që pikë së pari, të bëjmë një paraqitje të mirë, ashtu siç jemi paraqitur edhe në fazën e eliminimit këtu në Shkup. Kam besim te skuadra dhe futbollistët që do të japin maksimumin dhe do të bëjnë paraqitje e cila do të na mundësoj që në fund të ndeshjes të dalim me tre pikë. Kemi të bëjmë me një kundërshtar, të cilin ne e njohim dhe i kemi ndjekur ndeshjet e tyre. Bisedohet për një futboll që është i kundërt me atë që luajmë ne, por gjithmonë duke pasur besim në kualitetet tona dhe futbollistët që posedojmë, shpresoj të dalim faqebardhë në fund të ndeshjes”.

Klisman Cake: “Normal që ekipin e shoh të motivuar shumë për këtë ndeshje, është diçka që kemi bërë histori. Mezi e prisnim të jetë ndeshja e parë në shtëpinë tonë. E presim publikun të jetë në numër sa më shumë për të na mbështetur në këtë ndeshje që të bëjmë histori. Në fushë do të hymë për tre pikët, pasi ai është qëllimi jonë. Ne në Europë e kemi treguar Shkëndijën e vërtetë, ti tregojmë cilësitë tona dhe ta japim maksimumin për tre pikët”.

MARKETING