Beograd, studentët mbajnë të bllokuar tërë ditën njërin nga udhëkryqet kryesore
Studentët në Serbi kanë bllokuar sot udhëkryqin në lagjen “Autokomanda”, njërën nga qendrat më të mëdha të trafikut në Beograd, raporton Anadolu.
Ata njoftuan se do të mbajnë aktiv bllokimin për 24 orë. Studentët erdhën në këtë lagje në disa grupe dhe nga disa drejtime. Ndërkohë, bashkë me studentët që bllokuan Fakultetin e Bujqësisë në Zemun ishin edhe fermerë me traktorë të ardhur që dje nga Pançeva.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se në teren janë ambulancat, një cisternë uji, kontejnerë të mëdhenj mbeturinash dhe tualete të lëvizshme.
Trafiku u bllokua në rrugët ku kalonin kolonat e studentëve.
Pas grevës së përgjithshme të së premtes, ku morën pjesë një numër i madh qytetarësh dhe kompanish, studentët paralajmëruan radikalizimin e protestës për ditën e sotme në formën e bllokadës njëditore të kryqëzimit kryesor.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi se trafiku do të ridrejtohet sot për shkak të protestave të studentëve, për të zgjatur bllokadën 24-orëshe, dhe u bëri thirrje organizatorëve të jenë të përgjegjshëm, pasi siç tha ai, ky është një test për të gjithë.
Studentët në Serbi aktualisht mbajnë të bllokuara më shumë se 60 fakultete publike. Ata kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit për rinovimin e ndërtesës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, pasi në nëntor u shemb një pjesë e kulmit të stacionit hekurudhor, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave.
Edhe pse autoritetet në Serbi më parë pretendonin se i gjithë dokumentacioni për rinovimin e stacionit ishte publikuar, kryeministri serb Millosh Vuçeviq njoftoi të shtunën se dokumentet e reja do të publikoheshin sot në faqen e internetit të qeverisë serbe.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq kërkoi nga qeveria, investitorët, kontraktorët dhe prokuroria që të publikojnë të gjitha dokumentet në lidhje me stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Në lidhje me këtë, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit përmes një deklarate njoftoi se mungonin disa dokumente.
Në dy muajt e fundit, periudhë në të cilën vazhdojnë bllokadat e universiteteve në Serbi, studentët kanë qenë në shënjestër të dhunës verbale dhe fizike.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka nisur një hetim ndaj një gruaje 25-vjeçare e cila të premten drejtoi makinën e saj drejt protestuesve në lagjen “Beogradi i Ri”, duke goditur dy studentë me makinë.