Belgjikë, provinca e Flandrës Lindore pushon nga puna një mësuese pasi refuzoi të heqë shaminë

Belgjikë, provinca e Flandrës Lindore pushon nga puna një mësuese pasi refuzoi të heqë shaminë

Provinca e Flandrës Lindore në Belgjikë pushoi nga puna një mësuese e cila refuzoi të hiqte shaminë, raportoi sot transmetuesi VRT, transmeton Anadolu.

Hadija Amajoud, e cila jep mësim në një shkollë të arsimit special në Assenede që nga viti 2022, mbante shami kur filloi të punonte në shkollë. Pas deklarimit të Amajoud se nuk kishte ndërmend ta hiqte shaminë gjatë mësimit, ndaj saj nisi procedurë disiplinore.

Sindikata ACOD tha se synon ta kundërshtojë pushimin nga puna para Dhomës së Apelit në Bruksel, duke thënë se rasti mund të krijojë precedent të rëndësishëm lidhur me lirinë fetare dhe neutralitetin në arsim.

Amajoud vuri në pikëpyetje se deri ku mund të shkojë një punëdhënës në kufizimin e lirisë personale të një mësueseje dhe e përshkroi interpretimin e administratës provinciale për neutralitetin si “tërësisht politik”.

“Në fakt, askush nuk është neutral. Çdo mësues hyn para një klase me bindjet e veta”, tha ajo. Administrata e provincës mbrojti pushimin nga puna, duke argumentuar se ishte e detyruar të zbatonte rregulloren për personelin, të miratuar përmes procesit demokratik.

Ndalimi i simboleve fetare dhe politike është në fuqi në të gjitha shkollat e administruara nga provinca që nga fillimi i vitit aktual shkollor. Sipas rregullores, mësuesve dhe nxënësve u ndalohet të mbajnë distinktivë, simbole ose veshje që shprehin bindje politike ose fetare.

Gjashtë nxënës dhe disa organizata e kundërshtuan më vonë këtë masë para Këshillit të Shtetit të Belgjikës, por gjykata vendosi kundër tyre në maj. Instituti Flaman për të Drejtat e Njeriut kishte konstatuar më herët diskriminim dhe frikësim në rastin e Amajoud.

MARKETING