Bela: Shpresojmë të realizojmë fondet për kampusin “Nënë Tereza” brenda dy kvartaleve

Bela: Shpresojmë të realizojmë fondet për kampusin “Nënë Tereza” brenda dy kvartaleve

Profesori universitar Bujamin Bela, i ftuar sonte në emisionin “Debat në Shenja”, ka folur për nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale në vend, duke theksuar se edhe këtë vit shpenzimet kapitale mbeten shumë poshtë planifikimeve fillestare.

Sipas Belës, aktualisht janë realizuar rreth 47 për qind e shpenzimeve kapitale, ndërsa mjetet e parapara shpesh rishpërndahen ose mbeten të pashfrytëzuara edhe pas ribalancimeve të buxhetit.


“Edhe mënyra se si janë harxhuar ose nuk janë harxhuar mjetet tregon se kemi problem me procesin e investimeve kapitale,” u shpreh ai.

Bela u ndal edhe te projekti i kampusit universitar “Nënë Tereza”, i cili është një nga investimet më të rëndësishme arsimore të planifikuara për periudhën 2025–2026. Ai theksoi se financimi i këtij projekti varet nga dinamika e punimeve dhe nga fazat e ndërtimit, të cilat jo gjithmonë varen nga institucionet vendore.

“Shpresoj që këto mjete brenda dy kvartaleve të para t’i realizojmë dhe më pas të kërkojmë fonde shtesë,” deklaroi Bela, duke bërë të qartë se synimi është që fazat e para të ndërtimit të kampusit “Nënë Tereza” të avancojnë pa vonesa, në mënyrë që të mundësohet sigurimi i mjeteve të tjera për vazhdimin e projektit.

MARKETING