Bela: Rritja e pagave është e detyrueshme, shteti prej vitesh ka probleme makroekonomike

Bela: Rritja e pagave është e detyrueshme, shteti prej vitesh ka probleme makroekonomike

Profesori universitar Bujamin Bela, i ftuar sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, theksoi se Maqedonia e Veriut prej vitesh përballet me probleme të vazhdueshme në parametrat makroekonomikë dhe se kjo situatë nuk lidhet vetëm me vendimet e fundit qeveritare, por me një traditë të gjatë të menaxhimit joefikas institucional.

Sipas Belës, si shtet në tranzicion, vendi ende vuan nga mungesa e kulturës së punës dhe funksionimit profesional në institucionet publike, gjë që ndikon drejtpërdrejt në politikat ekonomike.

“Kjo situatë nuk është ad hoc, nuk është e momentit. Është një vazhdimësi e problemeve me parametrat makroekonomikë,” deklaroi ai, duke shtuar se në 3–4 vitet e fundit është shqetësuar veçanërisht për rritjen e borxhit publik, normën e inflacionit dhe presionin mbi sistemin pensional.

Duke folur për rritjen e pagave, Bela theksoi se kjo nuk është një zgjedhje politike, por një detyrim që vjen nga marrëveshjet kolektive dhe nevoja për të balancuar pagat me inflacionin.

“Rritja e pagave është një proces i pashmangshëm. Nuk është se qeveria e zgjedh vetë nëse do ose nuk do. Kjo bëhet për të ruajtur harmoninë sociale,” u shpreh ai. /SHENJA/

MARKETING