Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president: Nuk ka mbështetje të mjaftueshme parlamentare
Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke thënë se vendimi vjen si pasojë e mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjeve politike rreth procesit.
Në një reagim të publikuar të hënën, Sejdiu ka bërë të ditur se para dy javësh ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ishte ftuar në një takim me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, në atë takim ishte njoftuar se, pas një procesi të gjatë të bisedimeve, të dyja partitë kishin arritur pajtueshmëri që ai të propozohej si kandidat jopartiak për president.
Sejdiu ka thënë se e kishte pranuar kandidaturën duke pasur parasysh krizën institucionale dhe nevojën për zhbllokimin e situatës politike.
“Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Megjithatë, sipas Sejdiut, procesi nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sejdiu ka bërë të ditur se për vendimin e tij i kishte njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së.
Ai ka falënderuar gjithashtu personat që e kanë mbështetur kandidaturën e tij, duke përmendur kolegët, miqtë, personalitetet publike, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe veçanërisht mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sejdiu ka theksuar se nuk ka pasur ambicie për pozita publike përtej angazhimeve të tij akademike dhe profesionale, duke thënë se motivi për pranimin e kandidaturës ishte vetëm përpjekja për t’i shërbyer zhbllokimit të ngërçit institucional.
Ai u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje për krizën institucionale dhe të shmangin thellimin e polarizimit.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, ka shkruar Sejdiu.
Në fund, ai ka shprehur shpresën se partitë politike do të gjejnë një rrugëdalje nga kriza institucionale, duke theksuar se Kosova është “shtëpia jonë e përbashkët” dhe se shërbimi ndaj saj duhet të jetë mbi interesat individuale e partiake.

