Bejta: Nuk kam hakmarrje ndaj Ali Ahmetit, rikthehem për të mirën e Gostivarit
Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta, gjatë emisionit “Debat në SHENJA” sonte, mohoi çdo pretendim për hakmarrje ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke theksuar se rikthimi i tij në politikë synon të shërbejë për interesin e qytetarëve të Gostivarit.
“Pse të flitet për hakmarrje ndaj z. Ali Ahmeti? Unë asnjëherë nuk kam bërë hakmarrje ndaj askujt. Si mund t’i hakmerrem dikujt që ka qenë kryetari im? Unë jam kthyer për të mirën e qytetarëve të Gostivarit dhe për të ndalur shkatërrimin e qytetit nga Arben Taravari, që është vazhduar nga Valbon Limani. Nuk kam asnjë hatërmbetje ndaj zotit Ahmeti. Uji i Vardarit nuk kthehet prapë, ai ka shkuar; as unë nuk kthehem pas. Në këto zgjedhje nuk kam asgjë kundër z. Ahmeti. Përkundrazi, kërkoj mbështetjen edhe të votuesve dhe anëtarësisë së BDI-së për të mirën e qytetit të Gostivarit”, deklaroi Bejta. /SHENJA/

