Bëhet bashkimi i degëve të BDI-së në Shkup! Hapësirë të rinjve, tërheqje e figurave të vjetra
Në selinë e BDI-së në Çair është caktuar mbledhje e kësaj partie ku do të marrin pjesë gjithë kryetarët e degëve të Shkupit dhe deputetët e zonës 1 dhe 2, shkruan TV21, nga ku shtojnë se mbledhjen do ta udhëheqë Sekretari Organizativ i BDI-së Blerim Bexheti, ndërsa do të diskutohet për bashkimin e gjitha degëve të BDI në Shkup.
Bëhet fjalë për degën e Çairit, Sarajit, Nerezit, Çuçer Sandevës, Butelit, Shutkës, Hasanbegut, Haraçinës, Petrovecit dhe Studeniçanit. Te gjitha këto degë në zgjedhjet e fundit grumbulluan rreth 40 mijë vota, që është 30 për qind nga votat e përgjithshme të Frontit Europian.
Qëllimi i krijimit të një dege të vetme është që të ketë koordinim më të mirë dhe më efikas të degëve. Një prej sfidave të degës së re të Shkupit do të jetë afrimi i të rinjve dhe lëshimi i pozicioneve partiake të strukturave të vjetra, të cilët më tepër do të kenë rol këshillëdhënës.
Mësohet po ashtu se shefi i ri i degës së Shkupit, Bekim Neziri, ka paralajmëruar që ai do t’i prijë procesit, por duke theksuar se edhe ai si një kuadër i vjetër në BDI, nuk do të pranojë asnjë post në të ardhmen, por qëllimi është ta ndihmojë procesin.