BE për vizitën e Vuçiqit në Rusi: Të përmbahet nga legjitimimi i agresionit

BE për vizitën e Vuçiqit në Rusi: Të përmbahet nga legjitimimi i agresionit

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje të thellë për udhëtimin e udhëheqjes serbe në Moskë dhe pjesëmarrjen në shënimin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore – një ngjarje që Rusia, sipas Brukselit, e shfrytëzon për qëllime propagandistike.

MARKETING

Kjo është përgjigjja e Komisionit Evropian pas vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Rusi, ku do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Nga Serbia pritet të dëshmojë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave evropiane dhe të na bindë për orientimin e saj strategjik drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në një përgjigje me shkrim të një zëdhënësi të Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

KE-ja nënvizon se të gjithë aktorët duhet të përmbahen nga çdo veprim që mund të legjitimojë agresionin e Putinit kundër Ukrainës.

“Nëse dikush dëshiron të tregojë mbështetje për paqen, vendi i duhur për këtë më 9 maj është Kievi, jo Moska”, thuhet në përgjigje.

BE-ja thekson se ka qenë “krejtësisht e qartë” me partnerët e saj, përfshirë edhe vendet kandidate si Serbia.

“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë si zakonisht me regjimin e Putinit, në kohën kur agresioni i tij ndaj Ukrainës është i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm”, përfundon reagimi i Komisionit Evropian.

Vuçiq mbërriti në Moskë në prag të përvjetorit të 9 majit dhe pritet të zhvillojë një takim dypalësh me presidentin rus – i pari që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ai deklaroi para gazetarëve në Moskë se Serbia do të vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe shtoi se “nëse dikush duhet ta paguajë çmimin e kësaj vizite, ai do të jem unë, jo shteti”.

MARKETING