BE ndan 15 milionë euro ndihmë për ARM-në

BE ndan 15 milionë euro ndihmë për ARM-në

Këshilli i BE-së sot vendosi të ndajë 15 milionë euro ndihmë në kuadër të Fondit Evropian për Paqe (EPF) për të forcuar kapacitetet dhe aftësitë mbrojtëse të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gatishmërinë e saj operative.

“Sot ramë dakord t’i ofrojmë Maqedonisë së Veriut mbështetje shtesë nga BE-ja me vlerë 15 milionë euro për ushtrinë e saj. Mbështetja jonë do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale, gjë që është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për BE-në”, tha Kaia Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Ajo shtoi se këto fonde do të përdoren për të blerë pajisje të ndryshme – nga ato të destinuara për mbledhjen e informacioneve inteligjente dhe mbikëqyrje e deri te ato për qëllime trajnimi luftarak.

Sipas saj, me mbështetjen për vendin që synon parandalimin e konflikteve dhe forcimin e stabilitetit rajonal, Unioni tregon se e mbështet plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

“Pres me padurim vizitën time të parë muajin e ardhshëm për të diskutuar më tej agjendën tonë të përbashkët”, shtoi Kallas në një deklaratë.

Siç u njoftua nga Këshilli i BE-së, me vendimin e sotëm dhe paketat dypalëshe të mbështetjes në vitet 2023 dhe 2024, ndihma totale e BE-së për vendin në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes (EPF) ka arritur në 38 milionë euro.

“Vendimi i sotëm tregon angazhimin e vazhdueshëm me Maqedoninë e Veriut në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë nënshkrimin e Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje BE-Maqedoni e Veriut nëntorin e kaluar, dhe pasqyron përputhjen e plotë të vendit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, thuhet në deklaratë.

Me fondet e alokuara sot përmes EPF-së, ARM-ja do të pajiset me pajisje inteligjence, mbikëqyrjeje dhe zbulimi dhe luftë elektronike, si dhe me automjete shërbimi dhe inxhinierike, sisteme komunikimi dhe informacioni dhe pajisje trajnimi luftarak, dhe, nëse është e nevojshme, do të organizohet trajnim operativ për përdorimin e tyre.

MIA

MARKETING