BE-ja nuk do të dërgojë mision vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë

BE-ja nuk do të dërgojë mision vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë

Zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ftesa drejtuar Bashkimit Evropian (BE) për vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të 7 qershorit nuk është injoruar, por se për shkak të kohës së shkurtër nuk do të mund të dërgohet një mision vëzhgues për këto zgjedhje, transmeton Anadolu.

“Zyra e Presidentes ka pranuar përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian, në të cilën theksohet se, për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë”, thuhet në njoftim.

Presidenca ka bërë të ditur se në të njëjtën përgjigje, BE-ja ka bërë të qartë se po shqyrton dhe koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë të pranishëm në vend.

Presidenca njoftoi se Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i ka bërë ftesë BE-së në frymën e transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.

“Zyra e Presidentes mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të të gjitha organizatave të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve. Republika e Kosovës ka interes të plotë që procesi i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Këtë të diele, më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas një ngërçi disamujor, ku partitë politike nuk arritën të gjejnë dakordim për çështjen e presidentit.

MARKETING