BE-ja miraton kredi 90 miliardë euro për Ukrainën dhe sanksione të reja ndaj Rusisë pas heqjes së vetos nga Hungaria
Bashkimi Evropian (BE) ka miratuar një paketë kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, si dhe raundin e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë pasi Hungaria hoqi kundërshtimin e saj ndaj këtyre masave, transmeton Anadolu.
Sipas raportimeve të agjencisë EFE, e cila citon burime evropiane, vendimet janë miratuar nga ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe pritet të konfirmohen zyrtarisht përmes një procedure me shkrim nesër.
Hungaria, e udhëhequr nga kryeministri në largim, Viktor Orban, më parë kishte bllokuar paketën e ndihmës financiare, pavarësisht një marrëveshjeje të arritur në dhjetor të vitit të kaluar.
Kundërshtimi i Budapestit erdhi pas pretendimeve të Ukrainës se një sulm rus kishte dëmtuar infrastrukturën që ndikon në tranzitin e naftës përmes një tubacioni kyç, gjë që çoi në akuza nga pala hungareze se Kievi po pengon rrjedhën e naftës ruse.
Pritet që masat e reja të BE-së të forcojnë më tej presionin ekonomik ndaj Rusisë, ndërsa mbështetja financiare për Ukrainën vazhdon në kuadër të luftës së vazhdueshme.

