BE-ja miratoi këstin e dytë të mjeteve për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Instrumentit për reformë dhe rritje

BE-ja miratoi këstin e dytë të mjeteve për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Instrumentit për reformë dhe rritje

Me anë të një Vendimi Zbatues të Komisionit Evropian, Bashkimi Evropian ka miratuar lëshimin e dytë të fondeve për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Ky vendim miraton një shumë totale neto prej 16 milionë eurosh, si një mbështetje e kombinuar: pjesërisht grant dhe pjesërisht kredi. Nga kjo shumë, 7.4 milionë euro paguhen direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër është menduar për financimin e projekteve të infrastrukturës përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Shuma totale përcaktohet pasi zbriten fondet e përdorura për të shlyer parafinancimin, pra fondet e paguara paraprakisht në kuadër të instrumentit.

“Vendimi, i cili është një njohje e reformave që Qeveria ka zbatuar në mënyrë që të përputhet me standardet e BE-së, vjen pas vlerësimit pozitiv të Komisionit Evropian për kërkesën e paraqitur nga Ministri për Çështjet Evropiane Orhan Murtezani, si koordinator kombëtar për Instrumentin e Reformës dhe Rritjes.

Komisioni ka përcaktuar se Maqedonia e Veriut i plotëson parakushtet dhe kushtet e përgjithshme për lëshimin e fondeve, të cilat lidhen me qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit, stabilitetin makroekonomik dhe menaxhimin e financave publike”, theksojnë nga Ministria për Çështje Evropiane.

Nga atje thonë se me vlerësimin e Komisionit Evropian përfshihen hapat e Agjendës së Reformave 2024-2027 me afat kohor për realizim deri në qershor 2025.

“Nga gjithsej 16 hapa, Republika e Maqedonisë së Veriut paraqiti nëntë si të përmbushur, në bazë të vlerësimit të bërë nga institucionet kompetente. Komisioni Evropian, në kuadër të vlerësimit të vet teknik, vlerësoi se katër nga këto hapa janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme: tre në fushën e digjitalizimit dhe një në pjesën e mjedisit të biznesit që kanë të bëjnë me inspektimet”, thonë nga Ministria.

MARKETING