BE-ja kërkon nga Irani të kufizojë programet bërthamore dhe raketore, mbështet përpjekjet diplomatike

BE-ja kërkon nga Irani të kufizojë programet bërthamore dhe raketore, mbështet përpjekjet diplomatike

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Iranit të kufizojë programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike, të ndalojë ato që i përshkroi si aktivitete destabilizuese dhe t’i japë fund mbështetjes ushtarake për Rusinë, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Në një deklaratë të publikuar përpara takimeve të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të G20-ës në Asheville të SHBA-së, më 31 gusht dhe 1 shtator, BE-ja gjithashtu i bëri thirrje Teheranit t’i japë fund “dhunës dhe represionit ndaj popullit të vet”.

Blloku evropian tha se përpjekjet e vazhdueshme diplomatike janë të nevojshme për të arritur një marrëveshje paqeje, për të rikthyer stabilitetin rajonal dhe për të garantuar “lirinë e plotë të lundrimit dhe kalimin e sigurt” përmes Ngushticës së Hormuzit.

“BE-ja ka miratuar sanksione të gjera për të parandaluar Iranin që të shfrytëzojë ekonominë dhe sistemin financiar global për të vazhduar veprimet e tij armiqësore dhe për të minuar sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

BE-ja shtoi se mbetet e gatshme të ndërmarrë masa të mëtejshme kur të jetë e nevojshme për të mbrojtur sigurinë dhe interesat e saj, përfshirë lirinë e lundrimit përmes kësaj rruge strategjike ujore.

Ajo gjithashtu përshëndeti përpjekjet që synojnë ta bindin Iranin t’u japë fund atyre që blloku i përshkroi si aktivitete destabilizuese dhe të angazhohet “me mirëbesim” në negociatat për paqe, përfshirë përmes presionit të mëtejshëm ekonomik.

Në deklaratë përmendet në mënyrë specifike operacioni ekonomik i udhëhequr nga SHBA-ja si pjesë e këtyre përpjekjeve.

“BE-ja do të vazhdojë të punojë ngushtë me SHBA-në dhe partnerët e tjerë të G7-ës dhe ata ndërkombëtarë për të ruajtur presionin ndaj Iranit dhe për të kontribuar në uljen e tensioneve dhe stabilitetin rajonal”, thuhet më tej në deklaratë.

MARKETING