BE heq masat ndaj Kosovës pas diskutimeve në Bruksel, Osmani: Hap i rëndësishëm drejt statusit kandidat
Bashkimi Evropian do të heqë të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila theksoi se një pjesë e masave do të zhbllokohen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të hyjë në fuqi në janar.
Në reagimin e saj, Presidentja ka falënderuar Komisionin Evropian, Presidenten Ursula von der Leyen dhe partnerët evropianë për njohjen e punës së bërë nga institucionet e Kosovës në përmbushjen e kritereve dhe avancimin e reformave.
Ajo nënvizoi se Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
“Pas diskutimeve intensive në Bruksel mbrëmjen e sotme, jam e kënaqur të ndaj lajmin e rëndësishëm se do të hiqen të gjitha masat e BE-së ndaj Kosovës. Një pjesë e rëndësishme do të programohet menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të hyjë në fuqi në janar.
Falënderoj sinqerisht Komisionin Europian, Presidenten Ursula von der Leyen dhe të gjithë partnerët tanë për njohjen e punës së palodhur që Kosova ka bërë, duke përmbushur të gjitha kriteret dhe duke avancuar reforma kuptimplota. Kosova mbetet e vendosur në rrugën e saj evropiane. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët evropianë për të siguruar që kapitulli i ardhshëm i kësaj rruge të sjellë lajmin e shumëpritur, atë të statusit kandidat”, shkruan Osmani.

