BDI: Zëvendësministri shqiptar pa rol në vendimet e Ministrisë së Arsimit

BDI: Zëvendësministri shqiptar pa rol në vendimet e Ministrisë së Arsimit

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Ministrisë së Arsimit, ku sipas tyre, janë bërë avancime të njëanshme etnike në pozita të larta drejtuese.

Sipas deklaratës së publikuar nga BDI, shtatë persona janë emëruar në pozita të larta brenda dikasterit të arsimit, pesë prej tyre si këshilltarë shtetërorë, dhe të gjithë i përkasin përkatësisë maqedonase – pa përfshirjen e asnjë shqiptari.

BDI shpreh shqetësim për atë që e cilëson si një “prirje të qartë për përjashtim etnik nga strukturat vendimmarrëse”, ndërsa kritikon faktin që zëvendësministri shqiptar nga koalicioni LEN as nuk është informuar dhe as nuk ka pasur ndikim në këto vendime.

“Fakti që një përfaqësues shqiptar mbahet në errësirë dhe pa rol në një nga dikasteret më të rëndësishme të shtetit, është tregues i qartë se pjesëmarrja shqiptare në qeverisje po reduktohet në një fasadë formale,” thuhet në reagim.

Sipas BDI-së, ky zhvillim nuk është i rastësishëm, por pjesë e një filozofie të re qeverisëse që reflekton sloganin “Maqedonia sërish e juaja”, dhe që është materializuar përmes anulimit të balancuesit administrativ që garantonte përfaqësim të barabartë ndëretnik.

Partia shqiptarë thekson se ky është një sinjal alarmi për riorganizimin e rolit të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe kërkon përgjegjësi për tendencën e “përjashtimit të heshtur”.

“Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: çfarë kuptimi ka pjesëmarrja shqiptare në qeverisje, kur përfaqësuesit e saj as nuk informohen, e as nuk dëgjohen?”, përfundon reagimi.

MARKETING