BDI: Stoilkovik përkrah Rusisë, rrezikon orientimin euroatlantik të shtetit

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj, siç i cilëson, “veprimeve hibride” të disa segmenteve brenda Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që sipas kësaj partie, promovojnë dhe mbrojnë hapur narrativa pro-ruse në emër të institucioneve shtetërore.
MARKETING
Në deklaratën zyrtare të publikuar të shtunën, BDI shprehet e shqetësuar për përfshirjen e zyrtarëve qeveritarë në aktivitete që bien ndesh me orientimin euroatlantik të vendit dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare.
Partia thekson se veprime të tilla janë në kundërshtim të hapur me qëndrimet e NATO-s dhe me politikat e përcaktuara në konsensus nga Këshilli i Aleancës Veri-Atlantike, të cilat përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut i kanë mbështetur deri më sot.
“Bëhet fjalë për një përplasje të drejtpërdrejtë me parimet e Aleancës, e cila e ka identifikuar ndikimin malinj rus si kërcënim serioz për proceset demokratike dhe unitetin e saj,” thuhet në deklaratë.
Në qendër të kritikave qëndron zëvendëskryeministri i Qeverisë, i cili akuzohet se urdhëron shkarkimin e shqiptarëve nga pozita të larta në administratë dhe, sipas BDI-së, mbështetet nga kryeministri Hristijan Mickoski. Reagimi përmend gjithashtu incidentin e fundit ku zëvendëskryeministri u shfaq publikisht përkrah ambasadorëve të Rusisë, Kinës dhe përfaqësuesve të ashtuquajturës “botë serbe”, në mbështetje të narrativave që justifikojnë agresionin rus në Ukrainë.
“Qëndrimi aktual i Qeverisë paraqet një tentativë për të ‘normalizuar’ një ndryshim të rrezikshëm të politikës shtetërore, me synimin për t’iu larguar orientimit euroatlantik dhe për t’u afruar ndaj qendrave alternative të fuqisë, si Pekini dhe Moska,” thekson BDI.
Reagimi i partisë vjen në një moment delikat për Maqedoninë e Veriut, në sfondin e tensioneve të brendshme politike dhe sfidave gjeopolitike në rajon.