BDI: Shqiptarët të padëshiruar edhe në Operën dhe Baletin Nacional, 46 maqedonë, vetëm 1 shqiptar!

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatë të thellë dhe shqetësim serioz për përbërjen diskriminuese në Operën dhe Baletin Nacional, ku nga 47 të punësuar, 46 janë maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.
Ky është një tjetër ilustrim i qartë se përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është rastësor, është sistematik dhe i qëllimshëm.
Institucione që duhet të jenë vatra të përfaqësimit të barabartë dhe bashkëjetesës kulturore, siç është Opera dhe Baleti Nacional, kanë kthyer përfaqësimin e shqiptarëve në zero simbolike, duke e reduktuar një komunitet prej 30% të popullsisë në statusin e të padëshiruarit.
Kjo shifër skandaloze, 46 maqedonë, vetëm 1 shqiptar, nuk është vetëm statistikë. Është politikë diskriminuese, që po i mbyll dyert shqiptarëve në kulturë, në art, në administratë dhe në çdo hapësirë shtetërore.
Vetëm një ditë më parë, në Ministrinë e Mbrojtjes, u zbulua se nga 74 të punësuarit e rinj në Ushtri, vetëm 1 ishte shqiptar, nipi i Zeqirija Ibrahimit, kryetar i partisë Alternativa, ndërsa dhjetëra kandidatë shqiptarë të kualifikuar ishin eliminuar në mënyrë të dyshimtë.
A është ky modeli i përfaqësimit që ofron Qeveria e sotme? A është ky rezultati i premtimeve për barazi dhe integrim?
BDI paralajmëron se nuk do të lejojë që shqiptarët të kthehen në dekor në institucione, ndërsa vendimmarrja, rolet dhe punësimet u rezervohen vetëm të tjerëve.
BDI do të ngrejë zërin dhe do të ndërmarrë hapa institucionalë dhe politikë për ta ndalur këtë padrejtësi të organizuar ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.