BDI: Shqiptarët sistematikisht po përjashtohen në Ministrinë e Mbrojtjes, nga 26 të punësuar të rinj vetëm një është shqiptar

BDI: Shqiptarët sistematikisht po përjashtohen në Ministrinë e Mbrojtjes, nga 26 të punësuar të rinj vetëm një është shqiptar

Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thotë se në konkursin e fundit në Ministrinë e Mbrojtjes nga nga 26 punësime të reja, 25 janë maqedonas dhe vetëm një është shqiptar. Nga BDI thonë se kjo është dëshmi e qartë e një politike të organizuar për përjashtimin e shqiptarëve nga jeta institucionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një plani të strukturuar, i hartuar nga partitë maqedonase dhe oligarkia politike që në vitin 2022, i cili po zbatohet në mënyrë sistematike nga kjo qeveri. Qëllimi është i qartë: shqiptarët të zhbëhen si faktor në institucionet shtetërore dhe publike. Në shërbim të këtij plani është vënë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila me vendimet e saj ka minuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Përmes abrogimit të balansuesit etnik dhe detyrimit ndaj institucioneve për mosidentifikimin etnik të qytetarëve, kjo gjykatë ka shndërruar veten në një instrument para-politik në funksion të prishjes së rendit të ndërtuar mbi përfaqësim të drejtë, adekuat dhe multietnicitet”.

“Kjo platformë diskriminuese ka vazhduar përmes një sërë konkursesh të ashtuquajtura “të hapura”, ku nën pretekstin e profesionalizmit dhe kompetencës, shqiptarët po përjashtohen sistematikisht, një praktikë që ngjall kujtime të periudhës para vitit 2001. Situata në Ministrinë e Mbrojtjes është thjesht një tjetër kapitull i këtij skenari të rrezikshëm, i cili pas më shumë se një viti implementimi po tregon haptazi fytyrën e vërtetë: një shtet njëetnik, ku shqiptarët shihen si të padëshiruar”.
“Ky është koncepti i oligarkisë maqedonase, i mbështetur nga disa vasalë shqiptarë, të cilët nuk janë pjesë e qeverisjes për shkak të vullnetit të shqiptarëve, por si “të përzgjedhurit” e VMRO-DPMNE-së, ashtu si dikur në kohën e ish-Jugosllavisë, kur disa shqiptarë ishin të preferuarit e Slobodan Millosheviçit, por jo të shqiptarëve”, thonë nga BDI.

MARKETING