BDI reagon ndaj projektligjit të ri për përfaqësim të drejtë: Një përpjekje për zhbërjen e rendit kushtetues multietnik

BDI reagon ndaj projektligjit të ri për përfaqësim të drejtë: Një përpjekje për zhbërjen e rendit kushtetues multietnik

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me tone të ashpra ndaj një projektligji të ri për përfaqësim të drejtë, i cili së fundmi është përmendur në disa media si një “balon prove” me qëllim testimin e reagimeve të opinionit publik. Sipas BDI-së, ky projekt përfaqëson një hap mbrapa dhe paraqet një rrezik serioz për rendin kushtetues multietnik në vend.

MARKETING

Në reagimin zyrtar të partisë thuhet se projektligji jo vetëm që nuk përmirëson mekanizmat për përfaqësim të drejtë, por përkundrazi, redukton edhe ato ekzistues që garantonin përfaqësimin sasior të komuniteteve jo-shumicë në administratën publike.

“Ky propozim nuk e mbron, por përkundrazi e minon parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë, duke hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese që burojnë prej saj,” thuhet në deklaratë.

BDI ka kritikuar edhe përputhjen e këtij projektligji me premtimet parazgjedhore të partisë VMRO-DPMNE dhe koalicionit ZNAM, të cilët sipas saj kanë shpallur hapur synimin për të shfuqizuar mekanizmat detyrues që garantonin përfaqësimin e drejtë në sektorin publik. Si shembull konkret, BDI përmend shfuqizimin e Balancuesit, pas të cilit ka pasuar një valë punësimesh me përfaqësim të pabarabartë.

“Pas shfuqizimit të Balancuesit, ishim dëshmitarë të një numri të madh shpalljesh dhe punësimesh, ku ose punësoheshin vetëm maqedonas, ose përfaqësimi i komuniteteve tjera ishte minimal dhe simbolik,” thekson reagimi.

Ajo që e ka shqetësuar më tej BDI-në është “lehtësia me të cilën mbetjet e VLEN-it brenda qeverisë po lejojnë një përulje të tillë të pozitës së shqiptarëve në shtet – dhe bashkë me ta, edhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë.”

BDI ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike për të ndalur këtë projektligj, duke theksuar se nuk do të lejojë “ligjërimin e dominimit monoetnik dhe të një mazhorizimi të ligjëruar përmes institucioneve”.

Partia u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve nga komunitetet jo-shumicë që të bashkohen në kundërshtimin e këtij projektligji, përmes debatit publik, ndërhyrjeve me amendamente dhe sigurimit të shumicës së Badenterit.

“Ky është një moment kyç për të mbrojtur barazinë, drejtësinë dhe karakterin multietnik të shtetit tonë,” përmbyllet deklarata.

MARKETING